Ministria e Punëve të Brendshme synon të vërë kontroll mbi armët pa leje duke ua dhënë mundësinë për legalizim apo dorëzim përdoruesve të tyre.

Ani pse Ligji për Armët, i cili parasheh këtë gjë, është në fuqi që nga viti 2015, kjo ishte pamundësuar në mungesë të Udhëzimit Administrativ, të cilin te tash e ka hartuar MPB-ja.

Ky udhëzim ka paraparë periudhë gjashtëmujore për procedurat e legalizimit të armëve, ndërsa afati kohor për dorëzimin vullnetar të armëve, municionit e mjeteve eksplozive do të jetë 3 muaj, shkruan sot Koha Ditore.

Për legalizimin e armës përdoruesi duhet të jetë mbi moshën 21-vjeçare, të mos jetë nën hetime për vepra penale dhe të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale. Pos kësaj, kërkohet edhe testi teorik e praktik për përdorimin e armës.

Ndërkaq, për poseduesit që vullnetarisht mbajnë armën nuk do të kenë pasoja juridike. Gjatë periudhës 3-mujore poseduesit ilegalë të armëve mund t’i dorëzojnë ato pa evidentimin e historikut të armëmbajtjes dhe marrjes së të dhënave personale.

Sipas një hulumtimi të fundit të kryer nga Ministria e Punëve të Brendshme, në Kosovë janë rreth 240 mijë armë që qarkullojnë në duart e qytetarëve ilegalisht. Ndërsa një numër i madh i tyre konfiskohet çdo vit nga Policia e Kosovës.

Sipas Zyrës për informim të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2017 janë konfiskuar gjithsej 1211 armë të llojeve të ndryshme dhe 26 178 copë municion të kalibrave të ndryshëm.