Shkolla Fillore “Kadri Kadriu”, në fshatin Dumnicë e Epërme të Podujevës vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme.

Kështu ka thënë edhe në këtë seancë këshilltari Avni Islami në sallën e Kuvendit Komunal, kur po diskutohej në rendin e ditës për përfundimin e vitit shkollorë 2017/18, njofton Llapi.info.

Islami ka thënë se kjo shkollë tash e një kohë të gjatë përballet me mungesë të kushteve elementare për nxënësit që ndjekin mësimet.

“Shkolla “Kadri Kadriu”, në Dumnicë të Epërme është në gjendje të mjerueshme, sikur të ishte në Afrikë pa pikë uji. Madje, nuk ka as tualet e mësimi mbahet në tri ndërrime në vetëm dy klasë, e nxënësit mbajnë mësim ma pak se 20 minuta në çdo orë, kjo është shqetësuese. Duhet me intervenu se kjo është kërkesë edhe prej banorëve të tjerë të kësaj ane. Ajo shkollë nuk i posedon as kushtet më minimale për mësim”, ka thënë Islami.

Më tej ai ka thënë se të gjithë prindërit që kanë fëmijët në atë shkollë, janë të gatshëm t’i tërheqin nga ajo shkollë.

“Të bëhet zgjidhja para të nis procesi mësimor, Shkolla në Dumnice të Poshtme ka hapësirë që të barten nxënësit dhe kësisoj të zhvillohet mësimi normal. Përndryshe, jemi të detyruar t’i tërheqim nxënësit nga ajo shkollë”, ka thënë tutje Islami.

Kurse, u.d i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Agim Blakçori, në lidhje me këtë shkollë ka thënë se është planifikuar të ndërtohet.

“Kjo shkollë është në planifikim ndërtimi nga Ministria e Arsimit për vitin 2019. Tash a do ta shtyjë më tutje Ministria a jo, është çështje e saj. Por, duhet me pas parasysh që për investimet kapitale duhet t’i bëhen Ministrisë së Arsimit. Në këtë rast Komuna e Podujevës ka një kohë të gjatë që është e diskriminuar. Këtë çështje e ka në duar Ministria”, ka thënë Agim Blakçori.

Ndërsa, Islami me një replikë kërkoi që derisa të ndërtohet, të bëhet zgjedhje emergjente pasi që sipas tij ka hapësirë në Shkollën Fillore në Dumnicë të Poshtme.

Ndryshe në këtë rend të ditës, Drejtorisë së Arsimit në Podujevë iu hodhën një varg kritikash për gjendjen e shkollave të tjera./Llapi.info