Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se në rast se dështon që ta realizojë ëndrrën shekullore të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkim, atëherë ai nuk do të ndjehet i turpëruar të jetë përpjekur për ta korrigjuar një padrejtësi historike, njofton Klan Kosova.

“Nuk dua të tingëlloj aspak pesimist, por më duhet të theksojmë për hir të opinionit publik, se në rast së dështoj duke e bërë këtë përpjekje historike, unë nuk do të jem i turpëruar se kam bërë përpjekje për të korrigjuar këtë padrejtësi historike”, ka thënë Thaçi në konferencë për media.

“Por mund të them se fatin e njëjtë do ta kenë edhe shokët tjerë të cilët pa asnjë argument qoftë politik, qoftë historik, hezitojnë të radhiten në anën e së drejtës”.

“Më në fund, për të hequr të gjitha dilemat në marrëveshjen evnentuale paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, edhe në rast se e njëjta nënkupton korrigjimin e kufijve, në asnjë rrethanë nuk nënkupton hapjen e të ashtuquajturës Kuti të Pandorës, apo Efekti Domino”.

“Të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë janë të përfshirë në këtë proces dhe e përkrahin fuqishëm arritjen e marrëveshjes paqësore mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane”.

Sipas Thaçit, nuk ka mundësi tjetër për bashkim me Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin pa u pajtuar me Serbinë për korrigjim të kufirit.

Ai po ashtu tha se korrigjimi i kufirit me Serbinë nuk paraqet precedent pasi që të njëjtën gjë e kishin bërë edhe dy nga shtetet themeluese të Bashkimit Evropian, Holanda dhe Belgjika.