Naser Kelmendi u lirua nga paraburgimi, konfirmoi avokati i tij, Besnik Berisha.

“U lirua pasi Gjykata e Apelit vendosi të refuzojë ankesën e Prokuorirsë, të pranojë ankesën tonë dhe të anulojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, në lidhje me pikën për të cilën është dënuar me gjashtë vjet”, tha Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Më 1 shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli Kelmendin fajtor për posedim të paautorizuar të narkotikëve, me qëllim shpërndarjen e tyre, dhe e dënoi me gjashtë vjet burgim, ndërsa e liroi nga tetë pikat e tjera të aktakuzës.

Periudha e kaluar në paraburgim nga viti 2013 deri në vitin 2017 do të llogaritet si dënim.

Pika e aktakuzës për të cilën Kelmendi është dënuar, do të jetë lëndë e rigjykimit.

Kelmendi, i lindur në Pejë, aktualisht shtetas i Bosnjë dhe Hercegovinës, është arrestuar më 6 maj, 2013, nga Policia e Kosovës, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet boshnjake.

Më 1 qershor, 2012, nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Naser Kelmendi është identifikuar nën Aktin për Bosët e Narkotikëve të Jashtëm si një trafikant i lëndëve narkotike.