Kryetari i Grupit Parlamentat të LDK-së, Avdullah Hoti, ka takuar sot kryetarin e PDSH-së Ragmi Mustafa me bashkëpunëtorët e tij.

Në takim u fol për zhvillimet e fundit politike.

Hoti e siguroi Mustafën se LDK-ja do t’iu qëndrojë gjithmonë pranë shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Ai theksoi se shqiptarët si komb janë tanimë faktor vendimtar i paqes dhe stabilitetit në Ballkan, prandaj do të ketë koordinim të plotë në veprimet politike në të ardhmen.

Ai theksoi se LDK-ja angazhohet për integrimet ndërshqiptare dhe se Kosova duhet të merret me statusin politik të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.

“Grupi Parlamentar i LDK-së do të luajë rol kyç në Kuvendin e Kosovës në funksion të realizimit të qëndrimit politik të LDK-së karshi çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc”, thuhet në një komunikatë të LDK-së, transmeton Klan Kosova.

Hoti shprehu shqetësim me faktin se shumë shqiptarë janë larguar nga këto tri komuna dhe se bizneseve shqiptare po iu bëhet presion nga shteti serb, që ka rezultuar me largim të disa bizneseve të rëndësishme.