Disa nga banorët e komunës së Podujevës po vazhdojnë akoma t’i kundërshtojnë emërimet e rrugëve të cilat janë bërë vite më parë, shkruan Llapi.info.

Madje, në shenjë pakënaqësie ata kanë filluar t’i largojnë tabelat me emra të rrugëve. Në ato vende ku ka qenë më e vështirë largimi i tyre, ato janë njollosur me ngjyrë të zezë.

Kështu ka ndodhur së fundmi në fshatin Peran të Podujevës ku rruga e cila mban emrin “Arat e Dautit” është njollosur me ngjyrë.

Probleme me emërtime të rrugëve, Podujeva ka pasur edhe më parë. Shenjat treguese të rrugëve “Xheladin Rekaliu” dhe “Ramadan Salihu” para disa kohësh u patën larguar nga shtyllat mbajtëse pasi, sipas disa banorëve emërtimet e tyre ishin bërë nga komunarët e Podujevës.

Por atë kohë komuna pati demantuar disa nga qytetarët pasi, sipas tyre emërtimit të rrugëve i kanë paraprirë propozimet e qytetarëve në dëgjime publike të mbajtura në fshatra dhe qytete.

”Emërtimi i rrugëve është bërë me Vendimin e Kuvendit të Komunës, nr.01-006-16432 të datës 4 shkurt 2015. Këtij vendimi i kanë paraprirë propozimet e qytetarëve të paraqitura në debatet e organizuara në fshatra dhe qytet. Pas debateve të organizuara në teren propozimin final e ka bërë Komisioni për emërtimin e rrugëve, komision ky i ngritur nga Kuvendi i Komunës, në përbërjen e të cilit kanë qenë ekspertë të fushave dhe anëtarë nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.”, thuhej në përgjigjen e komunës.

Kujtojmë, se zyrtarë komunal kishin dënuar këto akte të cilat sipas tyre, do duhej të trajtoheshin edhe nga Policia e Kosovës./Llapi.info