Derisa po flitet për finalizim të marrëveshjes Kosovë-Serbi, çështja e personave të pagjetur ende nuk është temë në dialogun e Brukselit. Familjarë të personave të zhdukur dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkojnë që mos të nënshkruhet marrëveshje finale me Serbinë pa u marrë vesh për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. E në Qeverinë e Kosovës, thonë se “njerëzisht, kjo temë është dashur të jetë pika e parë e bisedimeve”.
Pesë djemtë e familjes Ujkani, ditën e 16 prillit të ’99-ës dolën për të fundit herë nga shtëpia e tyre në fshatin Vinovc. Të gjithë nën moshën 20 vjeç.
Ata nuk u kthyen më. Nga ajo që dinë familjarët e tyre, thuhet se me 19 prill të atij viti ata ranë në duart e paramilitarëve serb.
Sot, Halil Ujkani nuk di asgjë për fatin e pesë djemve të tij të zhdukur. Jo rrallë herë shpreson të jenë të gjallë diku, e nganjëherë i kujton fjalët që i ka dëgjuar dikur, se fëmijët e tij janë pushkatuar.
“Shumë vështirë, që 20 vjet me qenë zogj të pulës me t’u dhimtë, se jo evlad. Si ditë si natë e kemi mendjen tek ta. Mirëpo është punuar pak, pak po punohet. Nuk me vjen çudi nga Serbia, sa me vjen nga tonët, tonët pak kanë punuar”, thotë ai.
Pesë djemtë e zhdukur e lanë shtëpinë e zbrazur. Aty sot jetojnë vetëm prindërit e tyre të shtyrë në moshë.
Për Halilin është shumë e vështirë kur dëgjon të flitet për marrëveshje me Serbinë, ndërkohë që pesë djemtë e tij nuk i përmend askush.
Kosova nuk arriti asnjëherë të fut në agjendën e bisedimeve me Serbinë çështjen e të pagjeturve.
Që nga 2013-ta kur të dy shtetet nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, me Bashkimin Evropian ndërmjetësues, u fol për telekomin, energjetikën, heqjen e barrikadës mbi lumin Iber, e çështje të tjera, por në tavolinën e Brukselit nuk arritën kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur.
Nga përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, pati çdo herë premtime. U tha se në vazhdimësi po kërkojnë që kjo temë të jetë pjesë e dialogut, por nuk pati rezultate.
Bajram Qerkini, që flet në emër të familjeve të personave të zhdukur, kërkon që mos të ketë finalizim të marrëveshjes Kosovë-Serbi pa u fut në bisedime kjo temë.
“Pa një kusht të madh nuk është mirë flitet në Bruksel, nëse vjen koha të gjitha marrëveshjet me u ba, e mu kthy, mos me u zbardh fati i të pagjeturve, ose mos me pas çështjen e nënshkrimeve të marrëveshjeve për persona të pagjetur, më mirë mos të vinë në Kosovë hic, më mirë mos të zbresin prej aeroporti. Sepse këta 1600 vet nuk janë lopë, edhe lopë me qenë me t’i marrë 1600, ta zënë derën aeroporti, të thonë a i ke harruar fëmijët a? Të gjithë këta fëmijë të pagjetur nuk janë vetëm fëmija mi, janë fëmijët e presidentit, sepse ai ka përgjegjësi, dhe ai duhet të ketë përgjegjësi nëse nuk mirret vesh për personat e pagjetur”, tha ai.
Sivjet, derisa po shënohej Java e Personave të Pagjetur, Hashim Thaçi pati thënë se shpreh përkushtimin e tij si president, për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Autoritetet e Beogradit duhet të përgjigjen dhe të ofrojnë dhe dhëna për mbi 1600 të pagjeturit. Kjo çështje duhet të shtrihet edhe ne Bruksel sepse nuk pret më tutje, për këtë shpreh përkushtimi tim si president”.“Nuk do të rreshtim përpjekjet që kjo plagë e luftës të mbyllet sa më parë për të gjetur paqen dhe pajtimin. Përkulemi para çdo dëshmori dhe të rëni për lirinë e vendit”, kishte deklaruar Thaçi.
Sot, kur në vazhdimësi po flitet për marrëveshje finale me Serbinë, po përsëriten kërkesat e familjarëve, që kjo temë mos të mbetet jashtë dialogut.
Një kërkesë të tillë e ka edhe djali i veprimtarit të zhdukur, Ukshin Hotit.
Deputeti Andin Hoti thotë se nuk do të përkrah asnjë iniciativë tjetër, pa u fut kjo çështje në dialog.
“Nuk do të lejoj, me aq sa unë kam fuqi, që të finalizohet çfarëdo marrëveshje me Serbinë, pa u përmbyllur, pa u diskutuar çështja e të zhdukurve në nivel presidentësh, në nivel të lartë.1.24 …..4.53 Unë pres që të diskutohet kjo çështje, unë si deputet i Kuvendit të Kosovës nuk mendoj të përkrah asnjë iniciativë, nuk mendoj ta votoj asnjë iniciativë tjetër pa u fut edhe kjo çështje si pikë në dialogun Kosovë- Serbi”, thotë ai.
Duke theksuar se këtë çështje e ka mbi të gjitha prioritetet, Hoti përsëritë që Serbia i ka të dhënat për të zhdukurit e Kosovës.
Hoti, është një prej iniciuesve të rezolutës që u votua në Kuvendin e Kosovës, ku në pikën e parë thuhet se çështja e të zhdukurve duhet të jetë parakusht i bisedimeve me Serbinë, dhe se e njëjta duhet të jetë pjesë e platformës shtetërore për dialogun me Serbinë.
Se kjo temë është dashur të jetë prej pikave të para në Bruksel e thotë edhe shefi i negociatave me Serbinë, i emëruar nga Qeveria e Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, Avni Arifi thotë që është e vështirë që në këtë kohë të jetohet me ndjenjën të cilën e kanë familjarët e personave të zhdukur.
“Domethënë ne me implementimin e marrëveshjeve ekzistuese duhet të ulemi si shoqëri, si klasë politike dhe të diskutojmë se a duhet të vazhdojmë me këtë proces, apo duhet të krijojmë një proces të ri, është procesi i evidentimit të temave ka qenë proces në të cilin është dashur që të dy palët të pajtohen, në këtë kuptim mund të shoh arsye pse nuk ka qenë të zhdukurit pjesë e bisedimeve, megjithatë njerëzisht është dashur që të jetë pika e parë e bisedimeve apo marrëveshja e parë që është dashur të bisedohet. Në të ardhmen i takon nuk e di mua apo kushdo që të jetë në këtë funksion ndaj kësaj çështje të ketë marrëveshje të re, do të ketë një fokus shumë të madh dhe njëherë e përgjithmonë të ndriçohet kjo çështje sepse me të vërtetë është vështirë që pas tërë këtyre viteve të jetohet me ndjenjën çfarë e kanë familjarët e të zhdukurv e”, thotë Arifi.
Në Republikën e Kosovës 18 vjet pas luftës nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave të zhdukur.
Familjarët jetojnë ende me shpresë që të paktën t’i gjejnë eshtrat e tyre dhe të kenë një varre ku mund të vendosin lule për ta.
Paramilitarët serb vranë e masakruan numër të madh të shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Disa prej tyre i zhdukën dhe shteti i tyre më nuk tha asnjë fjalë për vendndodhjen e tyre.
Institucionet e Kosovës dhe shoqatat që përfaqësojnë familjet e të zhdukurve në vazhdimësi thonë se Serbia e ka gjithë informacionin për lokacionet e varrezave masive.
Ndërkohë që shteti i Serbisë që negocion me Kosovën për të arritur një marrëveshje finale, asnjëherë nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim lidhur me këtë çështje.
Kadri Jusufi i cili e gjeti trupin e djalit të tij menjëherë pas luftës, rrëfen dhimbjen në të cilën kalon ai dhe familja e tij, meqë u mungojnë edhe persona të tjerë, në mesin e tyre edhe i vëllai.
“Vështirë e kemi, pa e gjetur fatin e tyre mos të behet marrëveshje. Këta eshtra t’i dimë ku janë, pastaj të mirren vesh. Pa i gjeta këta 1600 nuk ka marrëveshje me ta, duhet të mirret vesh, Kombet e Bashkuara të bëjnë presion, jemi të brengosur gjithmonë, t’i gjejmë të paktën eshtrat e tyre me ditë ku janë”, thotë ai.
Ndërsa Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për Persona të Zhdukur thotë për KosovaPress se duhet detyruar Serbinë që të bashkëpunojë për zbardhjen e të gjithë atyre që mungojnë.
Kemi qenë vazhdimisht të interesuar, në një mënyrë jemi bërë zëdhënës të familjarëve, të kërkesave të tyre, që kjo çështje të jetë në tryezën e bisedimeve dhe të detyrohet pala serbe të tregojë vendndodhjen e varrezave masive, për faktin se 1650 persona ende evidentohen të zhdukur, normalisht që jo vetëm jemi të bindur, por edhe ka të dhëna, ka informata se ka varreza masive në Serbi. Andaj Serbia duhet të detyrohet për të qenë kooperuese në këtë drejtim dhe për t’i gjetur të gjithë ata që mungojnë”, tha ai.
Sipas tij, këtë çështje po e mban peng politika. Gjetaj thotë se Serbia mund të bëjë shumë por po i mungon vullneti, andaj duhet bërë presion mbi të.
Familjarët janë pak të kënaqur me rëndësinë që i është dhënë kësaj tema që nga paslufta.
Duke thënë se klasa politike po vetëdijesohet, megjithatë Bajram Qerkini thotë se nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik dhe se vështirë dikush të kuptojë dhimbjen që e kanë familjarët tash e 18 vjet.
“Thuhet se janë marrë kompetencat para një viti, ne kemi qenë këtu edhe para një viti, ne kemi qenë këtu edhe pas luftës, ne kemi qenë që është dashtë t’i shtyjmë edhe UNMIK-un, edhe EULEX-in, të gjithë ndërkombëtarët çka kanë qenë këtu, edhe ambasadorët, të bëjnë kërkesë që të zbardhet fat i të pagjeturve. Shtetet e QUINT-it i kanë fotografitë të gjitha çka kanë ndodh në Kosovë, sa i kanë kërkuar udhëheqësit tanë, sa herë i kanë kërkuar dokumentacionet për zbardhjen e fatit të pagjeturve. Unë kam punuar në komision qeveritar, nuk jam i kënaqur me punën e tyre çka është dashtë me bo. Tash thonë që familjarët nuk janë të kënaqur derisa të gjendet i fundit. Nuk jam i kënaqur me punën që është me bo e nuk e ke bo. Nuk ka përgjegjësi në Kosovë për punën që nuk e bën”, tha ai.
Se kjo çështje është zvarritur shumë e thotë edhe deputeti Andin Hoti.
Sipas tij, Kosova nuk është marrë asnjëherë seriozisht me çështjen e të zhdukurve.
“Kosova nuk është marrë seriozisht ndonjëherë me çështjen e të zhdukurve, ndoshta është marrë por seriozisht jo, prandaj është koha e fundit, meqenëse është fundi i dialogut, që kjo çështje të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës në Bruksel. Natyrisht që është edhe ana e Brukselit, sepse nuk mund ta imponojmë ne Serbinë, është edhe Brukseli, Bashkimi Evropian ajo që duhet të bëjë presionin e vet dhe ta zgjedhim këtë çështje. Kjo çështje nuk duhet të shihet vetëm si politike, është më shumë humane se politike”, thotë ai.
Kujtojmë që për çështjen e të pagjeturve janë organizuar tryeza të ndryshme, dhe nga qeveri të ndryshme është thënë që po kërkojnë ta fusin në agjendën e bisedimeve në Bruksel.
Megjithatë, kjo temë arriti të përmendet ndonjëherë vetëm në nivel teknik.
Për të pagjeturit u diskutua edhe në Samitin e Londrës dhe janë formuar grupe punuese që kanë biseduar për këtë temë.
Sot, 18 vjet pas luftës, derisa dëgjojnë të flitet për finalizim të marrëveshjes Kosovë-Serbi, Halil Ujkani dhe të tjerët, nuk dinë asgjë për fatin e të më të dashurve të tyre