Raporti, i publikuar më 1 gusht, thotë se në vitin 2017, një total prej më shumë se 19.3 milionë gjermanë kishin prejardhje emigrante – një rritje prej 4.4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Rezultatet bazohen në një mikrocensus të kryer në fund të vitit të kaluar. Raporti përcakton një prejardhje emigranti “nëse ata ose të paktën një nga prindërit e tyre, nuk ka lindur me shtetësi gjermane”.
Nga 2.6 milionë njerëz me prejardhje nga Ballkani, 859,000 kanë rrënjë në Rumani, 398,000 në Kroaci dhe 273,000 në Bullgari, duke arritur në 1.5 milionë emigrantë nga tre vendet më të reja anëtare të BE-së.
Rumunët janë bërë pakica e pestë më e madhe në Gjermani, pas turqve, polakëve, rusëve dhe kazakëve, dhe përbëjnë 4 për qind të numrit të përgjithshëm të njerëzve me prejardhje të huaj.
Përveç kësaj, të dhënat përfshinin 373,000 boshnjakë, 433,000 kosovarë dhe 324,000 serbë në Gjermani, të cilët përbëjnë mbi 1.1 milion njerëz nga tre shtetet ish-jugosllave.
Zyra e statistikave nuk ka të dhëna për të sapoardhurit nga çdo shtet tjetër ballkanik jashtë BE-së, përveç turqve, të cilët numërojnë 2,777.000 njerëz.
Në vitin 2017, rreth 51 për qind e popullsisë me prejardhje emigranti kishin fituar shtetësi gjermane dhe rreth 49 për qind ishin të huaj, tregojnë statistikat.
Në vitin 2011, përqindja e të huajve në popullsinë e emigrantëve ishte 42 për qind.
Raporti vëren se, nga 19.3 milion njerëz në Gjermani me prejardhje emigranti, rreth 13.2 milionë persona ishin vetë emigrantë.
“Që nga viti 2017, mikrocensusi i ka pyetur këta njerëz për arsyen kryesore për emigracionin. Motivi më i rëndësishëm ishte arsyet familjare,” thotë raporti.
Shumica e njerëzve që janë shpërngulur nga Ballkani, janë më të rinj se mesatarja, tregojnë statistikat. Mosha mesatare e njerëzve nga këto vende është midis 28.4 vjeç – për kosovarët – deri 39.5 vjeç – për kroatët.
Bullgarët janë të dytët për nga mosha e re, në moshën 30.2 vjeç, ndërsa serbët, boshnjakët dhe rumunët janë mesatarisht 38 vjeç. Për krahasim, mosha mesatare në Gjermani në vitin 2015 ishte 44 vjet dhe tre muaj.
Më shumë se 1.8 milionë nga 2.6 milion emigrantë janë në moshë pune (15-64 vjeç), me një gjysmë milion njerëz që janë nën 15 vjeç, tregojnë të dhënat. Më pak se 300,000 janë mbi 65 vjeç. (reporter.al)