Shtatori mund të jetë muaji kyç në zgjidhje e çështjes së Kosovës nga ana e Serbisë, shkruan e përditshmja serbe “Blic”.

Gazeta shkruan se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të udhëtojë në Kinë pasi të vizitojë Kosovën, dhe më pas do të shkojë në New York, ku ai do të flasë në OKB.

Teksa zgjidhja po hyn në fazën finale, presidenti serb do të hyjë në një ofensivë diplomatike përgjatë muajit shtator, shkruan kjo e përditshme, transmeton Koha.net.

Në fillim të shtatorit, së pari, siç është deklaruar, ai do të vijë në Kosovë ku do të bisedojë me serbët nga pjesa jugore e Kosovës.

E para kësaj vizite, siç shkruan gazeta, Vuçiqi do të bisedojë së paku edhe njëherë me përfaqësuesit e tyre.

“Vuçiqi do t’u adresohet serbëve në provincë, do t’i mbështes ata, do t’i dëgjojë problemet me të cilat përballen ata, do t’i pyes nëse kanë kërcënime të sigurisë dhe do të ofrojë ndihmë shtesë”, viton gazeta “Blic” një burim nga autoritetet më të larta.

Kah mesi i shtatorit, presidenti do të udhëtojë në Kinë për një forum ekonomik.

“Temat e ekonomisë do të jenë primare, por pasi që Kina është një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, kur të vijë puna tek Kosova, do të jetë me siguri një rast që Kina të konfirmojë mbështetjen e saj ndaj nesh në KS të OKB-së për këtë çështje”, thotë bashkëbiseduesi i gazetës.

Vuçiqi do të ketë pak ditë për të shpërndarë mesazhin e Kinës tek bashkëpunëtorët e tij, pasi që menjëherë do të udhëtojë për në New York për një seancë të OKB-së.

“Presidenti do të qëndrojë në New York nga 24 deri më 28 shtator, ku do të flasë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë burimi i gazetës serbe.

Presidenti serb do të shfrytëzojë këtë vizitë edhe për kontakte me njerëz nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.