Një lagje në fshatin Letanc jo shumë larg qytetit të Podujevës, ka mbetur e harruar nga institucionet komunale.

Në këtë lagje në rrugën “Fitorja” jetojnë shumë familje, por pa kushtet elementare për jetesë, pa ujë të pijshëm, pa kanalizim e pa rrugë të asfaltuar e me deponi të mbeturinave.

Kësisoj, me të marrë rrugën për në atë lagje has në vështirësi. Rruga e paasfaltuar kur ka reshje është zhytur në lloç, ku edhe ndodh që bëhet e pakalueshme, raporton Llapi.info.

Në lidhje me këtë banorët e kësaj ane thonë për Llapi.info se jetesa në këtë lagje është bërë monotone nga mungesa e ujit e deri tek mbeturinat ku sipas tyre po ngulfaten nga deponitë ilegale.

“Është bërë e padurueshme jetesa në këtë vend. Rruga qe sa kohë na ka mbet paasfalt jena mbet pa ujë të pijshëm, s’ka kanalizim. Këtu prej ku me dit kuhit e prujnë bërllokun edhe e djegin. A furnizimin me ujë e kemi veç prej bunari”, ka thënë H.H banor i kësaj ane.

Më tej banorët shprehen se do të kërkojnë nga drejtoritë përkatëse që sa më parë t’ju bëhet zgjidhje problemeve primare me të cilat ballafaqohen çdo ditë këta banorë.

“Kemi kërku gjithmonë edhe prapë do të shkojmë në zyre edhe me ju thanë për këto se në shekullin 21-të e mos me pas ujë, asfalt e kanalizim, veç këtu ndodh”, vazhdoi ai.

Në anën tjetër në lidhje me asfaltimin e kësaj rruge zyrtari për Informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi, pati thënë për Llapi.info se në këtë rrugë do të fillojnë punimet.

“Do të fillojmë punimet në atë rrugë. Së pari do të shtrohet zhavori e pastaj edhe me asfaltim”, ka thënë Elezi muaj më parë.

Megjithatë, kjo lagje vazhdon të jetë me një gjendje të tillë, duke mos intervenuar askush tash e sa vite./Llapi.info