Mediat serbe gjatë ditës së djeshme kanë raportuar se ushtarët amerikan të KFOR-it me javë të tëra po i përgatisin pjesëtarët e FSK-së për t’u transformuar në ushtri.
Sipas këtyre raportimeve, përgatitjet përfshijnë trajnime që po mbahen tash e disa ditë në malin e Bajgorës, me rreth 100 ushtarë të FSK-së, shkruan lajmi.net.
Gjithnjë sipas informacioneve të mediave serbe, “amerikanët po i armatosin në masë të madhe këto forca, gjegjësisht, Ushtrinë e ardhshme të Kosovës”.
E ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk e ka demantuar, mirëpo as nuk e ka pohuar një gjë të tillë.
Në një përgjigje për lajmi.net, nga kjo ministri thuhet se FSK-ja ka bashkëpunim të mirë me KFOR-in.
Ky bashkëpunim sipas tyre përfshin aktivitetet të përbashkëta trajnimi dhe ushtrime të tjera.
“FSK ka bashkëpunim të mirë me KFOR-in. Ky bashkëpunim përfshin aktivitete të përbashkëta trajnimi dhe ushtrime fushore në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive aktuale”, thuhet në përgjigjen e MFSK-së për lajmi.net.
Kujtojmë se kohëve të fundit, pjesëtarë të shumtë serbë të FSK-së kanë paraqitur kërkesën për dorëheqje nga kjo forcë.
Shkas për këtë është thënë të jetë pikërisht presioni dhe propaganda e Beogradit.