Ministri i Punëve të Jashtme në Serbi, Ivica Daçiq ka thënë se nuk sheh gatishmëri nga ana e Prishtinës për kompromis kur është fjala për statusin e Kosovës.
Daçiq ka deklaruar se gjatë muajve të ardhshëm do të intensifikohen bisedimet për të gjetur një zgjidhje më të përhershme për Kosovën.

Sipas tij, janë dy arsye pse duhet shpejtuar bisedimet.

“Arsyeja e parë është nevoja për kompromis, dhe jo për ta mbajtur këtë temë mbrapa me dekada. Arsyeja e dytë është se do theksohet mandati i organeve evropiane, Federica Mogherini duhet të shkojë në votime. Kjo do të thotë intensifikim të dialogut, por nuk ekziston një zgjidhje e tillë pa miratimin e fuqive të mëdha”, është shprehur Daçiq, transmeton lajmi.net.

Lidhur me ndarjen e mundshme të Kosovës, ai ka thënë se ka folur rreth dhjetë vite më parë rreth kësaj çështje.

“Kam folur për përcaktimin, nuk e kam përdorur termin e ndarjes. Kurrë nuk kam folur për territore. Pyetni njerëzit në veri të Kosovës se çfarë mendojnë për këtë. Dhe serbët në jug. Ata i përkasin krahinës serbe nën kushtetutën tonë”.

Ministri serb ka thënë se pozicioni i SHBA-ve ndaj çështjes së Kosovës ka ndryshuar dukshëm.

Ndërkohë ai ka përfunduar duke thënë se kalon çdo orë të kohës në punë për të penguar njohjen e Kosovës.