Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë konferencës së sotme ka falënderuar të gjitha institucionet e sigurisë për parandalimin e incidenteve dhe situatave të cilat do të ishin mesazh i keq i Kosovës në botë.
Thaçi ka thënë se Kosova do t’i përmbushë të gjitha marrëveshjet e Brukselit duke përfshirë edhe Asociacionin por me respektimin e Kushtetutës së Kosovës, raporton lajmi.net.
“Asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes Vuçiq-Mustafa, ndërkaq do të kalojë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese. Do të jetë sipas kushtetutës së Kosovës, dhe do të jetë me përgjegjësi të specifikuara nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, debatet publike dhe politike për çështjet shtetërore po bëhen gjithnjë më dinamike dhe produktive por tema kryesore mbetet dialogu dhe mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje.
Tutje, presidenti ka shtuar se procesi i dialogut është një proces i vështirë por i domosdoshëm për integrimin e Kosovës në BE.
“Mundësitë për arritjen e një marrëveshje janë minimale, mirëpo ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Dialogu ka vetëm një qëllim, që përfshin marrëveshjen dhe njohjen reciproke”, ka theksuar Thaçi.