Gjashtë muaj burgim me kusht është dënuar Ilir Beqiri nga Mitrovica nën akuzën se pengoi Policët e Kosovës. I pandehuri i cili jeton jashtë vendit akuzohet nga prokuroria se në korrik të 2017-tës kishte penguar dy policët Fatmir Osmani e Fatos Sejdiu. Policët ishin duke shqiptuar tiketa për kundërvajtës në trafik kur e kishin këshilluar të pandehurin të mos kalonte në zonën e gjelbër.

Kjo sipas aktakuzës kishte nxitur një debat në mes të pandehurit dhe policëve të cilët i kishin kërkuar të akuzuarit një dokument identifikimi..

“I akuzuari i ofendon zyrtarët policorë duke u thënë se “ju po dënoni vetëm vozitësit me automjete me targa të huaja “thuhet në aktakuzë. E njëjta sqaron se kur policët e kishin kapur për duarsh të pandehurin ai kishte rezistuar dhe në mënyrë të pakontrolluar me grushtin e dorës së majtë ka goditur në muskulin e këmbës zyrtarin policor Fatmir Osmani.

Gjatë prangosjes lëndime kishte marrë edhe i akuzuari Beqiri. Ky i fundit ka pranuar fajësinë para gjykatës në Mitrovicë.