Akademik Hivzi Islami, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve sot nuk u lejua të shkojë në Preshevë.

Siç deklaroi akademik Hivzi Islami rreth orës 6:45 në vendkalimin kufitar Muçibabë/Buhiq policia kufitare e Serbisë nuk e lejoi të shkonte në Preshevë.

“Akademik Islami ishte nisur me familjen për vizitë te familjarët e tij në Preshevë. Familjarët e tjerë që udhëtonin bashkë me të u lejuan ta kalonin kufirin, ndërsa ai jo. Policia kufitare nuk dha shpjegim”, thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur deri sot Islami ka udhëtuar në Preshevë e Bujanovc pa asnjë problem.

“Nuk dihet arsyeja pse iu mohua kjo e drejtë këtë herë”, thuhet në njoftim.

Akademik Hivzi Islami ka lindur në Letovicë të Bujanovcit, ndërsa familjarët e tij të afërt jetojnë në Letovicë, në Bujanovc dhe në Preshevë.