Situatë e paqartë është krijuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit ku tanimë janë mbyllur të gjitha sallat e operacioneve.
Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe Drejtori Klinik i Spitalit të Gjilanit, Ukshin Ismajli.
Siç ka bërë të ditur ai, sallat e operacioneve janë të mbyllura për rastet e programuara, dhe janë duke u pritur analizat që deri nesër të gjendet shkaktari i një bakterie që ka prekur këto salla.
“Për momentin sallat e operacioneve janë të mbyllur për rastet e programuara, për shkak të një nga materialet që është marrë, Staphylococus, po presim që sot edhe nesër të shohim situatën dhe ta gjejmë shkaktarin se ku është, përndryshe për rastet emergjente i kemi pajisjet e një reparti tjetër”, ka thënë Ismajli.
Tutje Ismajli ka thënë se askush nuk e ka ndërmend të rrezikoj jetën e askujt, dhe si të tillë, është marrë vendimi që të mbyllen këto salla të operacioneve,
Ai tha se prezent në spital ka edhe edhe nga Instituti i Shëndetit Publik ku po pritet të mbahet edhe një takim me ta lidhur me rastin.
“Kemi edhe Institutin e Shëndetit Publik, po presim që të kemi takime të përbashkëta që të dijmë shkakun dhe arsyen pse. S’kemi ndërmend me e rreziku jetën e kërkujt, dhe kjo është njëra prej arsyeve se pse e kemi bërë këtë” , ka bërë të ditur Ismajli.
Ndërkaq që detaje të tjera rreth këtij rasti ende nuk dihen.