Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim Petrit Selimin – drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Mileniumi i Kosovës, me të cilin ka biseduar për mundësinë që Komuna e Podujevës të përfitojë nga Programi Threshold në Kosovë, transmeton Llapi.info.

Gjatë takimit të sotëm, drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Mileniumi i Kosovë (Millennium Foundation of Kosovo), Petrit Selimi, e informoi Kryetarin e Podujevës, Agim Veliu, me përfitimet e mundshme të komunës nga mbështetja që ofron Programi Threshold në Kosovë në përmirësimin e efiçiencës energjetike.

Selimi tha se Fondacioni i Mileniumit i Kosovës është entitet implementues i Programit Threshold në mes të Qeverise se Republikës së Kosovës dhe Millennium Challenge Corporation, që është agjenci e pavarur e SHBA-ve për mbështetje në luftën kundër varfërisë globale.

Selimi tha se Programi Threshold në Kosovë synon të trajtojë pengesat në zhvillimin ekonomik, ku furnizimi i sigurt me energji elektrike është identifikuar si një ndër pengesat kryesore.

Ky projekt, përmes aktiviteteve pilotuese, ka për qëllim mbështetjen në rritjen e efiçiencës energjetike në ndërtesat e banimit, si dhe kalimin në ngrohje që nuk bazohet në energji elektrike.
Veliu tha se Podujeva është ndër 15 komunat e para që ka hartuar Planin Komunal për Efiçiencë të Energjisë 2014-2020.

“Tashmë kemi formuar edhe Grupit Punues për hartimin e Planit Komunal te Veprimit për Efiçiencën e Energjisë me përfaqësues të GIZ-it dhe të kompanisë konsulente “Lins 4”, tha kryetari Veliu.

Në kuadër të projektit, që realizohet përmes Programit Threshold në Kosovë, po ashtu parashihet edhe mbështetja e zhvillimit të sektorit privat që ofron shërbime në fushën e efiçiencës energjetike, duke përfshirë edhe avancimin e pozitës së grave dhe kategorive të cenueshme sociale.

Ndërsa fokusi i projektit në kuadër të efiçiencës energjetike do të jetë në përmirësimin e gjendjes së ndërtesave të banimit, duke përfshirë ndërtesat shumë-banesore dhe shtëpitë individuale.