Prodhuesit e mjedrave e ngritën vazhdimisht shqetësimin e tyre për çmimin e ulët që ato kanë këtë vit në treg, e ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo mbajti disa takime dhe premtoi se do veprojnë.

Tashmë, ai është dorëzuar. Kur koha e mjedrave po kalon, ai thotë se nuk kanë ndonjë zgjidhje për këtë çështje. Thotë se do mundohen, por sa i përket çmimit të tyre në treg, i ka prerë shpresat e prodhuesve.

Rikallo, i pyetur nga KosovaPress, ka thënë se çmimin e mjedrave e cakton tregu, dhe sipas tij, janë duke u munduar që t’i zgjidhin kërkesat e prodhuesve, e që njëra prej këtyre mënyrave është nënshkrimi i marrëveshjes me USAID-in për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, konkretisht për zinxhirin e vlerave të frutave të imëta dhe bimëve mjekësore dhe aromatike në Kosovë.

“Puna në zhvillimin e sektorit të mjedrave, ndihma në këtë vit të rëndë po mundohemi të zgjedhim në shumë mënyra dhe kjo sot që kemi nënshkruar është një ndër to. Prodhuesit fermerë që merren me mjedra dhe që marrin subvencione nga 400 euro (për një hektarë) kanë me marrë ose kanë me u paguar së shpejti. Në bashkëpunim me qendrat grumbulluese do të ndihmojmë që prodhimet e tyre që mblidhen të jenë sa më kualitative dhe të shkojnë në shitje më shpejt. Çmimin e këtyre produkteve nuk e cakton Qeveria ose Ministria, çmimin e përcakton tregtia, ne në mënyra të ndryshme mundemi me ndihmuar, por për çmim që e cakton dikush tjetër nuk mundemi”, ka thënë Rikallo.

Ai duke folur për marrëveshjen e arritur sot dhe rëndësinë e saj ka inkurajuar fermerët se kjo Ministri ka për qëllim që të ndihmojmë në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe shfrytëzimit efikas të burimeve natyrore.

“Kjo kontratë tre vjeçare disa milionëshe do t’i ndihmojë prodhuesit bujqësor që të prodhojnë mjedra, manaferra dhe bimë mjekësore aromatike për të bërë një hap të rëndësishëm në sasitë dhe cilësinë e prodhimit. Mundësitë e eksportit do të rriten, një pozitë më të mirë në treg, kontrata afatgjata që do të garantojnë sigurinë dhe koston ose çmimin e prodhimit. Dua të falënderoj të gjithë në Ministrinë të Bujqësisë dhe USAID-in të cilët kanë punuar shumë në përgatitjen e këtij Programi dhe uroj për një realizim të suksesshëm në mënyrë që fermerët të shohin shpejt përfitimet nga këto nisma për të përmirësuar dhe zhvilluar sektorin bujqësor”, ka thënë ministri i Bujqësisë.

Ndërsa, drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, tha se me këtë marrëveshje, USAID-i tani po hyn në një partneritet të drejtpërdrejt me Qeverinë e Kosovës, konkretisht me Ministrinë e Bujqësisë, që në afat të shkurtër të rritet prodhimi dhe eksporti.

“Ne kemi marrë një bashkëpunim shumë të shkëlqyeshëm nga ana e Ministrisë bujqësisë. Ky partneritet është jashtëzakonisht i rëndësishëm që t’i vejë në punë resurset tona të përbashkëta me nivelin më të lartë të transparencës, ndikimit dhe efikasitetit në mënyrë që t’i japim një shtytje prodhimit dhe eksporteve të prodhimeve bujqësore. Ne jemi shumë të apasionuar për potencialin e jashtëzakonshëm bujqësor të Kosovës dhe ka shumë pasion në misionin tonë për këtë. Së pari, jam shumë e lumtur që mund t’i shijoj dredhëzat dhe mjedrat që prodhohen këtu në Kosovë. Dhe Kosova ka një fat shumë të mirë që ka tokë shumë pjellore me një lokacion strategjik”, ka thënë Magno.

Ajo duke treguar se kjo marrëveshje kap vlerën prej 3.8 milionë euro, tha se puna e USAID-it në bujqësi është shumë më e gjerë se kjo marrëveshje.

Drejtoresha e Misionit të USAID-it shtoi se do të vazhdojnë që të mbështesin sektorin e bujqësisë, në përgjithësi zhvillimin e ekonomik, nga e cila do të përfitojë e gjithë shoqëria, sepse e ardhmja ekonomike e popullit të Kosovës, sipas saj, është këtu, ngase bujqësia është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij zhvillimi ekonomik dhe kjo mund të bëjë ndryshime në jetën e qytetarëve të Kosovës.