Zgjedhja dhe dekretimi i anëtarëve me të kaluar kriminale është në kundërshtim me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës fillimisht.

Kështu ka deklaruar për Telegrafin, Genc Nimoni nga organizata “Çohu”.

Genc Nimoni nga “Çohu” ka theksuar se bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, përkatësisht me pikën 1.3 të nenit 4 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një kandidat sipas tij, i cili është i dënuar për vepër penale, nuk plotëson kriteret për të qenë gjykatës kushtetues.

Sipas tij, kandidatët si R. Laban, nuk do të duhej dekretuar fare, duke shtuar se dekretimi i tij paraqet shkelje të dispozitave ligjore dhe kushtetuese.

“Bazuar në dispozitat ligjore dhe kushtetuese (neni 118 i Kushtetutës së Kosovës dhe neni 9 pika 1.5 e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese), shkarkimi i një gjykatësi kushtetues bëhet për kryerjen e krimeve të rënda dhe për mospërfillje të rëndë të detyrave, me propozimin e 2 të 3 të gjykatësve kushtetues”, tha Nimoni.

Ai më tutje ka thënë se Presidenti Thaçi ka qenë i njoftuar për këtë fakt, dhe megjithatë sipas tij, ka vepruar duke dekretuar dhe marr parasysh këtë fakt.

“Gjendjen në të cilën ndodhet gjykata kushtetuese si dhe raportin e saj me Presidentin, jam skeptik se mund të iniciohet dhe ndodhë një shkarkim i kandidatit, tani pas dekretimit. Zgjedhja e tij përveçse degradon institucionin e gjykatës Kushtetuese, gjithashtu do të vazhdojë ta thellojë mosbesimin e qytetarëve në funksionimin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese si dhe do të rrezikojë funksionimin profesional të Gjykatës”, ka shtuar Nimoni.