Komunat e Kosovës kanë nisur një praktikë të publikimit të kontratave me operatorët ekonomikë. Kjo po bëhet për të rritur transparencën dhe mundësinë që qytetarët të jenë të informuar me rrjedhën e shpenzimeve të parasë në komunën e tyre.

Komuna e Istogut sot ka njoftuar se do të bëjë publike kontratat me operatorët ekonomikë, e kjo, sipas tyre, për të rritur transparencën dhe për t’u dhënë mundësi qytetarëve të dinë se si po shpenzohen paratë në komunën e tyre.

Por këtë praktikë nuk po e ndjek vetëm Komuna e Istogut, pasi edhe Komuna e Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt, Gjakovës, Pejës dhe Vushtrrisë po i publikojnë tashmë këto kontrata.

Publikimi i këtyre kontratave, siç thonë udhëheqësit e këtyre komunave, po bëhet që qytetarët të jenë të informuar për të hollat e shpenzuara në komunë, si dhe për rritjen e transparencës, pasi deri më tani janë publikuar vetëm të dhëna dhe informata të kufizuara nga komunat e Kosovës.

Ndërsa e gjithë kjo, po realizohet si rezultat i bashkëpunimit dhe përkrahjes së Projektit të USAID-it për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse.