Fluks i madh turistësh nga Kosova janë regjistruar të kenë hyrë në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit.
Në pikën kufitare të Morinës në Kukës, gjatë 24 orëve kanë hyrë rreth 15 mijë e 20 persona, nga të cilët 13 mijë e 760 janë me nënshtetësi jo shqiptare dhe që vijnë në Shqipëri për qëllime turistike.
Sipas ATSH-së, në pikën kufitare që lidh Kukësin me Kosovën, përmes rrugës së Kombit ka pasur një rritje të fluksit të hyrjeve.
Zyra e Shtypit e Policisë së Kukësit bëri të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se fluksi gjatë 24 orëve të fundit ka qenë më i lartë.
“Në pikën kufitare të Morinës janë regjistruar në hyrje 15 mijë e 20 persona, nga të cilët 13 mijë e 760 janë të huaj, ndërsa 1 mijë 260 shtetas ishin shqiptarë. Po ashtu, gjatë këtyre 24 orëve u regjistruan 3 mijë e 125 shtetas shqiptarë që u larguan nga vendi dhe 10 mijë e 3 të huaj që vijuan rrugën në drejtim të Kosovës”, bëri të ditur zyra e shtypit e Policisë së Kukësit për ATSH-në.
“Në hyrje janë regjistruar 714 mjete shqiptare dhe 3,472 me mjete me targa të huaja. Ndërsa në dalje janë regjistruar 1,327 mjete me targa shqiptare dhe 4,571 mjete me targa të huaja”, thuhet në njoftimin e Policisë.