Koordinatori Nacional për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka folur edhe njëherë rreth Asociacionit. Thotë se Qeveria nuk duhet të lejojë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive e as të ketë përgjegjësi për fushën e arsimit.
Sqarimi i tij i plotë:
E para, në Kosovë, të gjitha institucionet e shtetit e kanë për obligim të marrin për bazë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë, Statuti i Asociacionit duhet të reflektojë rekomandimet dhe të marrë për bazë udhëzimet e Kushtetueses. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Qeveria do të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe në të njëjtën kohë duke mos lejuar nivel të dytë rajonal në sistemin politik dhe qeverisës të vendit.
E dyta, askund në botë nuk ka një praktikë që Asociacioni i Komunave të ketë përgjegjësi mbi arsimin e lartë apo fushave tjera vitale. Kjo do të thotë se një kërkesë e tillë nga Beogradi është një lojë që për qëllim ka ta paraqet Kosovën keq para faktorit ndërkombëtar e pse jo edhe ta shtyej themelimin e këtij Asociacioni me synim që të nxit ndonjë projekt tjetër politik!!!!
E treta, sa i përket funksionimit dhe organizimit të qeverisjes lokale në përgjithësi, e me theks tek asociacionet e komunave, definitivisht Serbia nuk ka as shembuj e as praktika të mira në këtë fushë. Atje edhe më tutje komunat nuk kanë ndonjë rol në fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejt, autonomisë fiskale e as në aspektet e shërbimeve dhe atyre zhvillimore.
Krejt në fund, logjika e Asociacionit nuk është streh nacionalizmi, por instrument për demokratizim dhe integrim.