Shefi i LDK’së, Isa Mustafa, ka nisur të tallet me Kryeministrin aktual, Ramush Haradinaj, i cili ka mbetur tërësisht nën hijen e Hashim Thaçit. Mustafa ka thënë se Kryetari i AAK’së po merret me punë të brendshme derisa ka thënë se aktualisht Kosova s’ka Qeveri.
Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa ishin miqësuar shumë në qershorin e vitit 2014, kur nga pozitat opozitare kishin ndarë pushtetin në mënyrë kundërkushtetuese.
Atëkohë, Haradinaj promovohej si Kryeministër i ardhshëm derisa Mustafa ishte bërë Kryetar i Parlamentit në mënyrë kundërkushtetuese.
Por, raportet e Kryeministrit aktual me Kryetarin e LDK’së ishin ftohur kur Isa Mustafa ishte bërë Kryeministër në koalicionin me PDK’në.
Haradinaj i ndihmuar nga VV e NISMA i kishin organizuar edhe sulme Kryeministrit Mustafa në Parlament, shtëpi e rrugë.
Tash, kur Haradinaj është Kryeministër me vota të PDK’së ka nisur të sulmohet me deklarata nga LDK’ja.
Isa Mustafa po thotë se tash Kosova s’ka as Qeveri. Madje, po thotë se Ramush Haradinaj është duke u marrë me punët e një Ministri të Punëve të Brendshme.
Krejt këtë deklaratë Mustafa e ka ndërlidhur me nismat e fundit të Hashim Thaçit, i cili e ka lënë nën hije Haradinajn, kur po flet për marrëveshje me Serbinë.
“Për këtë na obligon Kushtetuta, na obligon Deklarata e pavarësisë. Presidenti me këto deklarata rrezikon të shkelë Kushtetutën, kryeministri nuk po e ushtron punën e tij, por merret “me punë të brendshme”, ka thënë Mustafa, në një intervistë për koha.net, të transmetuar nga Koha Ditore.
“Për fat të keq të Kosovës, kemi të bëjmë më një konglomerat autarkik jokompetent, i cili mund të jetë çdo gjë tjetër, por jo Qeveri”, ka shtuar ai.
Ramush Haradinaj është bërë Kryeministër me aprovimin e kryetarit aktual të PDK’së, Kadri Veseli, dikush Shef i SHIK’ut. Njësoj ishte bërë shef i Qeverisë edhe Isa Mustafa.
Edhe Mustafa, edhe Haradinaj, për një kohë të gjatë kishin qenë akuzuesit kryesor të Veselit, PDK’së dhe SHIK’ut se e kanë kapur Shtetin.
Qeveria aktuale është formuar nga koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-NISMA. Është qeveri legale meqë është votuar nga 61 deputetë, por, ka humbur legjitimitetin pasi aktualisht s’e ka shumicën në Parlament siç nuk e ka as opozita, LDK e VV.
Aktualisht, partia me më së shumti deputetë në Parlament është LDK’së e pasuar nga Vetëvendosje. Partia e tretë është PDK e Kadri Veselit pastaj PSD e Shpend Ahmetit. Partia e pestë është AAK ndërsa e gjashta NISMA e Fatmir Limajt, i cili kohëve të fundit i ka qëndruar afër Hashim Thaçit duke i harruar akuzat e mëhershme.