Rreth 200 shtëpi në fshatin Dobratin të Podujevës kanë përfituar rrjet të ri elektrik.
KEDS-i në këtë fshat ka bërë ndërrimin e tri trafove të reja me fuqi deri në 250 kVA dhe rrjetin e tensionit të ulët me gjatësi prej mbi 6 kilometrave.
Sipas zyrtarëve të KEDS-it, ky investim ka qenë i domosdoshëm, meqë rrjeti ka qenë i vjetruar dhe në gjendje të rëndë.
“Kjo do të ndikojë në sigurimin e stabilitetit energjetik, reduktimin e humbjeve në rrjet, por edhe e shton sigurinë për qytetarët e kësaj ane, meqë rrjeti ekzistues ka qenë i vjetruar dhe i dëmtuar. Shtyllat elektrike në këtë fshat kanë qenë të drurit dhe të kalbura, dhe rrjedhimisht kanë qenë rrezik për qytetarët që kanë kaluar afër”, ka thënë Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Sipas Buzhales, këto investime janë bërë në kuadër të projekteve që KEDS po realizon në tërë Kosovën për të zgjeruar dhe përforcuar rrjetin energjetik./Llapi.info