Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe zv/ambasadorja e Francës znj. Carole BLESTEL-FEFFER, nënshkruan Marrëveshje për bashkëfinancimin e bursave në nivel të studimeve Master.

“Me këtë Marrëveshje përcaktohet bashkëpunimi ndërmjet palëve me qëllim të promovimit të lëvizjes së studentëve kosovarë në Francë dhe përforcimit të bashkëpunimit ekzistues në sektorin e arsimit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Kjo Marrëveshje ka të bëjë me një projekt të përbashkët zhvillimi, në mbështetje të përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për zbatimin e reformave në sektorin e arsimit të lartë”, thuhet tutje në njoftim.

Bytyqi me këtë rast është shprehur se, kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, në veçanti për studentët kosovarë dhe një mundësi më shumë që ata të kenë më shumë hapësirë dhe shanse për shkollimin e lartë në vendin tuaj.

Gjithashtu, Bytyqi e falënderoj ambasadën e Francës në Kosovë dhe qeverinë franceze për mbështetjen e vazhdueshme në sektorin e arsimit, njëherësh u shpreh i gatshëm që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje duke lënë të hapur mundësinë e thëllimit të bashkëpunimit edhe më tej.

Ministri, po ashtu, tha se, do të angazhohet që në sistemin e arsimit të ketë më shumë mundësi që nxënësit tanë të mësojnë gjuhën frënge, gjë që është në interesin e dyanshëm dhe në funksion të thellimit të miqësisë së përhershme.

Nga ana e saj, zv/amabasadorja BLESTEL-FEFFER tha se, Franca do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e arsimit në Kosovë, ndërsa sa i përket nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëfinancimin tha se shpreson që nga kjo do të përfitojnë studentët më të mirë.