Policia kufitare serbe ka arrestuar dje Ibrahim Matoshin, kosovarin me shtetësi gjermane, i cili kishte ardhur për pushime në Kosovë. I njëjti është arrestuar pa asnjë paralajmërim.
Ibrahim Matoshi, me profesion stomatolog erdhi në Kosovë para 10 ditësh përmes pikës kufitare të Dheut të Bardhë, shkruan lajmi.net.
Mirëpo, duke u kthyer nga Kosova në Gjermani, shteti ku Ibrahimi punonte si stomatolog, u arrestua nga policia serbe në kufi.
Vëllau i tij, Musli Matoshi, rrëfen për lajmi.net se Ibrahimi nuk kishte asnjë precedent penal. Madje siç shprehet ai, Ibrahim Matoshi nuk ka pasur madje asnjë aksident gërvishtjeje me makinë në shtetin serb.
“Vëllau nuk ka pasur asnjë aksident, asnjë gërvishtje me makinë në shtetin serb. Ai erdhi para 10 dite prej të njejtes pikë kufitare, ndërkaq që duke dalë nga e njëjta është arrestuar. Ai vjen në Kosovë shumë shpesh, ndërkaq që në Munih të Gjermanisë e kryen funksionin si stomatolog”, tregon Matoshi.
E për arrestimin e tij, familja Matoshi nuk ka asnjë informacion.
Musli Matoshi thotë se as nuk kanë mundur të kontaktojë me vëllaun e tij. Ai shprehet shumë i shqetësuar për mënyrën se si mund të trajtohet Ibrahimi.
“Nuk kemi mujt me kontaktu, dhe si familjarë ne nuk kemi kurrfarë informacioni, prej kohës kur e kanë arrestuar ne nuk kemi asnjë informatë se për çka e kanë lypë dhe se për çka është i akuzum. Ne jemi shumë të shqetësuar edhe është shumë normale për faktin që ai është shtetas gjerman dhe ambasada e Gjermanisë është duke u marrë në mënyrë shumë intensive sa i përket rastit të tij”, shprehet ai.
Matoshi tutje thotë se familja e tij ka kontaktuar me të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës, duke filluar nga akterët e sigurisë, e deri tek ministria e Punëve të Jashtme, mirëpo ai shprehet i tronditur me faktin se përse familjarëve nuk janë vënë në dijeni për asgjë deri më tani.
“Kemi kontaktuar me të gjitha institucionet duke filluar prej akterëve të sigurisë, kemi kontaktuar me policinë në qendër atje, kemi kontaktuar edhe me Qeverinë e Kosovës, kemi kontaktu edhe me ambasadën e Gjermanisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Mirëpo ajo se çfarë është shqetësuese është se ne nuk kemi asnjë informacion”, ka përfunduar Matoshi.
Siç bëhet e ditur, Ibrahim Matoshi po mbahet në Vranjë.
Lajmi.net gjatë ditës ka kontaktuar edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme.
Këshilltari i ministrit Pacolli, Jetlir Zyberaj, ka thënë për lajmi.net se ata ende nuk kanë ndonjë informacion shtesë, mirëpo se e dinë që shtetasi i Kosovës do të dalë para gjyqit në Serbi.