Ideja e kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli për “Mitrovicën e re” ka bërë që politika dhe mediat në Serbi të reagojnë ashpër.

Plani i Veselit i cili parasheh investime në të dy anët e lumit Ibër e ka marrë vëmendjen kryesore të gazetave në Serbi.

Të gjitha ballinat e të përditshmeve më të mëdha serbe e kanë botuar lajmin për planin e Veselit, derisa janë deklaruar edhe politikanët serbë, të cilët me tone kërcënuese kanë thënë se do ta bllokojnë një plan të tillë.

“Kurir” shkruan ndër tjerash në tekstin për Veselin se ai është personi nga i cili varet lufta ose paqja në Ballkan.

“Kadri Veseli e dëshiron veriun”, është titulli kryesore i gazetës “Alo”. Kjo gazetë i referohet Veselit si njeriu më i fuqishëm në Kosovë, derisa shkruan se në detaje për planin investiv të tij në Mitrovicë, raporton lajmi.net.

Titull tjetër i mediave serbe, respektivisht të gazetës radikale “Nacional” është “Kadri Veseli dëshiron të rrëmbejë Mitrovicë”.

Në këtë tekst flet edhe shefi i Komisionit parlamentar serb për Kosovën, Milovan Drecun, i cili e quan “provokim të ri”.

“Blici” serb në ballinën me titull “Triku i shqiptarëve, iu bie ndërmend të investojnë në veri”, përcjellë deklaratën e shefi të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i cili thotë se me këtë investime të përmendura nga Veseli, shqiptarët po tentojnë që të krijojnë korridor në veri të Kosovës.

Plani i Kadri Veselit për Mitrovicën parasheh renovimin e tërësishëm të Stadiumit “Adem Jashari”, zgjerimin e parkingut të tij, ndërtimin e një Aqua-Parku përreth kësaj hapësire, si dhe ndërtimin e objekteve kolektive të banimit përreth Liqenit Artificial.

Por, pjesa më ambicioze e këtij plani të ideuar nga Veseli – kalon përtej Lumit Ibër, i cili mund të nxisë reagime nga Serbia.

Në fshatrat Suhodoll, Gushavc dhe Vinarc, përskaj Lumit Ibër, por edhe në thellësi të tyre, parashihet të ndërtohen objekte të larta banimi, nga 3 deri në 7 kate.

Gjithashtu, në këtë hapësirë, pritet të ndërtohen edhe shkolla, terren sportive dhe qendra mjekësore.

Projekti parasheh edhe rregullimin e shtratit të Lumit Ibër dhe hapësirës për këmbësorë dhe biçikleta.

Në njërën anë, ky projekt shtrihet nga Mitrovica – te Mëhalla e Boshnjakëve e Zveçan, dhe në anën tjetër vazhdon deri në Zupç e Koshtovë.

Në mënyrë që ky plan të realizohet, e gjithë zona duhet të shpallet Zonë për Ndërtim të Lartë.

Ky projekt do të prezantohet nga Partia Demokratike e Kosovës në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.

Te enjten, Veseli ka vizituar Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku edhe ka prezantuar projektin për renovimin e tërësishëm të tij.

Veseli përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.