Instituti kombëtar i shëndetit publik ka bërë të ditur se në laboratorët e Institutit Kombëtar sot është detektuar prania e virusit të Nilit Perëndimor te pacienti i shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në njoftimin për media thuhet se Instituti Kombëtar është në vazhdimësi në kontakt me Klinikën infektive, QKUK.

“Ekipet e Departamentit të Epidemiologjisë prej fillimit të korrikut në nivel qendror dhe periferik janë në gjendje gatishmërie për të identifikuar dhe raportuar ndonjë rast individual të sëmundjes. Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të gatshme të pranojnë mostra dhe të diagnostikojnë rastet e sëmundjes”, thuhet në njoftim.

IKSHP njofton se virusi i Nilit Perëndimor përcillet nëpërmjet thumbimit të mushkonjës së infektuar, e jo nga njeriu në njeri, por duhet përcjellë situatën epizootologjike te kafshët me aksent të veçantë te kuajt dhe duhet shikuar mundësinë e hulumtimit aktiv të rasteve gjatë muajve të verës dhe vjeshtës.

Deri tani 17 persona kanë vdekur si pasojë e virusit të Nilit perëndimor në gjithë Evropën brenda një jave, e në Kosovë një person i moshuar me sëmundje kronike të cilit ia ka rënduar gjendjen virusi i Nilit Perëndimor.

“IKSHPK është duke hulumtuar burimet e këtij infeksioni dhe situata është nën kontroll. Aktualisht nuk ka vend për panik. Nga qytetarët kërkohet që të kenë kujdes këtyre ditëve ku vërehet numër i shtuar i mushkonjave”, thuhet në njoftimin për media.

Nga departamentet komunale kërkohet të bëjnë dezinsektimin në komunat e veta sipas rekomandimeve të OBSH.

Edhe pse në rreth 80 për qind të rasteve, pacientët e infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë, virusi I Nilit perëndimor mund të shkaktojë përfundim fatal te njerëzit.

Virusi transmetohet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave, të cilat janë të infektuara