Foto ilustrim

Nuk kanë të ndalur rastet e dhunës në familje në Kosovë. Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë theksuar katër raste të dhunës në familje.

Në rastin e parë, në Prishtinë një grua ka raportuar në polici se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj që është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër, në Prizren është arrestuar një i dyshuar i komunitetit rom pasi kishte sulmuar motrën, që është dashur të pranojë tretman mjekësor. Edhe ky i dyshuar është dërguar në mbajtje.

Dhunë familjare ka pasur edhe në Rahovec. Aty janë arrestuar dy persona që pas një mosmarrëveshje rreth pronës kishin sulmuar vëllanë e tyre. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, teksa viktima ka pranuar tretman mjekësor. Rasti ka ndodhur në rrugën “Gani Mullabazi”.

Në rastin e katërt, është arrestuar një i dyshuar pasi kishte sulmuar fizikisht të birin e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. Ky rast ka ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë.