Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka reaguar lidhur me dorëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj.
Ai ka thënë se nuk se ky rast duhet të hetohet, pasi është raportuar se kjo dorëheqje e Elezajt mund të jetë rezultat i kërcënimeve. Sipas Tahirit është i papranueshëm çdo lloj kërcënimii dhe presioni që mund të bëhet mbi prokurorët
“Një prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka dhënë dorëheqje nga detyra zyrtare, për aq sa thuhet në lajme, me pretekstin se është kërcënuar si pasojë e punës së tij hetuese. Në kohën kur të gjitha përpjekjet tona si institucione janë duke u orientuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, një mesazh i tillë është tërësisht i pa pranueshëm dhe meriton trajtim emergjent deri në fund. Republika jonë është e ndërtuar mbi parime ku sundimi i ligjit është mbi të gjithë, i barabartë për të gjithë dhe se askush nuk mund të ngritet mbi të e aq më pak të cenojë funksionimin e organeve të rendit për shkak të detyrës zyrtare në vendosjen e drejtësisë”.
“Pa dashur të aludoj në rrethanat e ngjarjes, në rast se zyrtarisht konstatohet se arsyet e dorëheqjes së Prokurorit janë të natyrës përtej personale, konsideroj se një hetim i plotë rreth këtij rasti duhet të zë vend, për të parë se kush ka kërcënuar prokurorin dhe në rast se organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë ndërrmarrë masat e nevojshme për të adresuar dhe rrënuar deri në fund çdo kërcënim të mundshëm ndaj tij, kurdo qoftë dhe nga kushdo qoftë. Është e pa pranueshme që një prokuror i shtetit, për punën që bën, të bie nën presionin e kërcënimit dhe të zgjedhë dorëheqjen si alternativë. Krimi, korrupsioni, shmangia nga përgjegjësia dhe abuzimi në këtë vend, duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Tahiri përmes Facebook, përcjell Klan Kosova.
“Republika e Kosovës ka nevojë për prokurorë të zotë që për punën e tyre i japin llogari vetëm ligjit dhe askujt tjetër dhe të gjitha organet tjera kanë për obligim që t’i sigurojnë pacenueshmërinë e punës së tyre nga kushdo. Nuk do të lejojmë për asnjë çast që shteti ynë të duket shtet i brishtë dhe nuk do të tolerojmë askënd dhe asgjë që të jetë mbi ligjin. Ky rast, është po ashtu një ftesë për krerët e institucioneve të sistemit të drejtësisë për të pasur një koordinim më të ngushtë që adreson çdo defekt të sistemit, në mënyrë të përgjegjshme, të pa kompromis dhe të paalternativë. Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë pritje të arsyeshme, i besojnë dhe duhet t’i besojnë sistemit të drejtësisë dhe ne si institucione nuk do të tolerojmë asnjëherë devijimin e kësaj perspektive”.