Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se para se të normalizohen raportet me Serbinë, së pari vendi duhet të ketë institucione normale demokratike dhe një shumicë solide e funksionale në Kuvend.
Hoti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se mosmarrëveshjet në spektrin politik janë thelluar kohëve të fundit, sidomos nga propozimet kontraverse të presidentit Thaçi.
Lexoni të plotë postimin e Hotit në Facebook:
“Para se t’i normalizojmë raportet me Serbinë, gjë që është synim dhe përcaktim yni i koordinuar edhe me bashkësinë ndërkombëtare, së pari duhet të kemi institucione normale demokratike të një shumice solide dhe funksionale në Kuvend. Pa e tejkaluar këtë mangësi, që po prodhon defekte në politikbërje, ne vetëm do të zhytemi edhe më shumë në gjendje jo normale juridike dhe politike.
Mosmarrëveshjet në spektrin tonë politik janë thelluar kohëve të fundit, sidomos nga propozimet kontraverse dhe çorientuese të Presidentit Thaçi. Ato nuk mund të tejkalohen me këtë mungesë korrektësie në qasje e komunikim.
Marrëveshjen politike duhet ta arrijmë gjithsesi përbrenda institucioneve, por vetëm kur ato vishen me legjitimitet demokratik dhe ta kenë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës të shprehur me votën e lirë”.