Vëllai i kryetarit të vrarë të Iniciativës Qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, Oliver Ivanoviq, dhe gjykatës i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Mirosllav Ivanoviq, ka vlerësuar se mendon se kjo vrasje është kryer me planifikim, në mënyrë profesionale dhe me prapavijë politike. “Përfundimisht, Oliveri është eliminuar politikisht, sepse politikisht ka penguar”, ka deklaruar për gazetën serbe Danas.

Ai pretendon se nuk ka kurrfarë informatash mbi rrjedhën e procedurës së hetimit.

Në pyetje se a është eliminuar vëllai i tij si kundërshtar i ndarjes apo caktimit të kufirit me shqiptarët në Kosovë, Miroslav Ivanoviq ka thënë se kjo është shumë e mundur.

“Unë përndryshe jam një njeri shumë i rezervuar në dhënien e konkludimeve përfundimtare, mirëpo Oliveri vërtet ka pasur qëndrim politik ndryshe mbi ndarjen apo caktimin e kufijve dhe ai për këtë është deklaruar në shumë vende me shumë raste. Kjo mund të shihet në internet në deklaratat e tij, sidomos në pjesën e dytë të vitit 2017, para fundit të jetës së tij”, ka thënë Miroslav Ivanoviq, transmeton Insajderi.com.

Ai ka vlerësuar se e vërteta për vrasjen e vëllait të tij mund të jetë objekt i tregtisë politike të Beogradit, Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar, si dhe sistemi juridik i Kosovës ka aftësi që këtë rast ta zgjidhë deri në fund, por se ky rast “së pari duhet të vijë deri te drejtësia”.

“Liderët politikë në Beograd dhe Prishtinë po deklarohen për këtë temë, madje në momente të caktuara kanë folur se janë afër zbulimit të kryesve, iniciatorëve dhe prapavijës politike të vrasjes. Mirëpo këtu është ndalur”, ka thënë Miroslav Ivanoviq dhe ka shtuar se këto deklarata kanë qenë aq koncize “saqë supozohej se ka mbetur që vetëm edhe emri të publikohet”.

Ai ka thënë se në shtatë muajt e kaluar nuk e ka kontaktuar asnjë lider politik, sepse pret që të arrihet deri në fund të procedurës.

“Para së gjithash policia dhe prokuroria duhet të përfundojnë pjesën e tyre të punës… Mendoj se drejtësia e Kosovës, policia dhe prokuroria mund ta bëjnë këtë, vetëm nëse sinqerisht dëshirojnë”, përfundon Miroslav Ivanoviq.