Presionet dhe kërcënimet, të cilat dyshohet se e kanë shtyrë ish-prokurorin special, Elez Blakaj, drejt dorëheqjes mbesin enigmatike.
Dorëheqja e tij ka bërë bujë në opinion. Menjëherë ka reaguar Prokuroria e Shtetit, duke thënë se nuk e di arsyen e dorëheqjes së ish-prokurorit. Mirëpo, ka pranuar se Blakaj ka raportuar një rast të kërcënimit.
Ish-prokurori së fundi ka qenë duke i hetuar keqpërdorimet me listat e veteranëve të UÇK-së. Hetimet kanë përfunduar dhe aktakuzën Blakaj e ka dorëzuar te eprorët e tij, porse “ata po e mbajnë të fshehtë”.
Por financiarisht prokurori Blakaj siç duket ka qëndruar mirë. Në deklarimin e pasurisë, të bërë në marsin e këtij viti, Blakaj ka raportuar për tokë të trashëguar nga gjyshi, banesë, si dhe një truall. Të gjitha këto në vlerën e mbi 100 mijë eurove.
Blakaj ka raportuar edhe një veturë të blerë në vlerë 5 mijë euro.
Por në deklarimin e të ardhurave, Blakaj, përveç rrogës si prokuror i shtetit, i kishte marrë edhe 20 euro nga rimbursimi i kuponëve fiskalë në ATK, shkruan Express.
Vetë Blakaj, edhe më tutje vazhdon të heshtë për opinionin. Ndërkohë, ndërkombëtarët, por edhe vendorët e kanë pritur me shqetësim dorëheqjen e tij, duke kërkuar hetimin e shkaqeve.