Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë Lirak Çelaj ka dalë në përkrahje të deklarate së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve nddëjmjet Kosovës e Serbisë, transmeton Koha.net.
Çelaj, në një postim të vetin në Facebook, ka thënë se është kundër refuzimit apriori të korrigjimit të kufirit, vetëm pse këtë propozim e ka bërë Hashim Thaçi.
Ai ka theksuar se korrigjimi apo shkëmbimi i territoreve do të kishte kuptim nëse respektohen raportet simetrike të korrigjimit dhe ku një pjesë a Pakos së Ahtisarit do binte poshtë meqë edhe përqindja e strukturave etnike në Kosovë do të ndërrohej.
Ky është shkrimi i plotë i Çelajt në Facebook:
Nuk po shoh mundësi reale më të mirë sesa korrigjimin e kufirit për të përfunduar njëherë e mirë armiqësinë me Serbinë.
Po ashtu nuk po i kuptoj sidomos ata që trumbetojnë bashkimin kombëtarë dhe që e kundërshtojnë këtë ide. Si mund të jesh pro bashkimit kombëtarë dhe kundër bashkëngjitjes së Luginës. Kjo po i bie se ne, Kosova, u rehatuam, u çliruam, e tash kush po brengoset për Luginën që mbeti në Serbi.
Mund ta kuptoj skepticizmin se a mund të realizohet ose jo ky “korrigjim” në përputhje me pretendimet tona reale. Por refuzimi apriori vetëm se po e propozon presidenti Thaçi dhe se për inat të tij duhet të rreshtohemi kundër, nuk më duket as racional, as i arsyeshëm historikisht. Mendoj që në çështje kaq të rëndësishme duhet të jemi unikë dhe t’i tejkalojmë inatet personale dhe të veprojmë në të mirë të kombit dhe të ardhmes së gjeneratave që do të vijnë pas nesh.
Reagimet e disa shqiptarëve të Kosovës, por edhe jashtë saj, se “me këtë po prishet stabiliteti i rajonit dhe po hapet kutia e Pandorës” më ngjajnë qesharake, thuajse ne qenkam ata që duhet të flijojmë pjesë të kombit e të territorit për rehatinë e të tjerëve. Gjithsesi janë të tjerë ata që kanë forcën e mundësinë që të kujdesen për paqen në rajon.
Edhe më qesharake për mua është argumenti se Ahtisari ka marrë Çmim Nobel për paqe dhe nëse bie poshtë Plani i tij për Kosovën mund t’i revokohet çmimi. Tash për shkak të çmimit të tij ne duhet të sakrifikojmë të ardhmen tonë. Apo se ndryshimi i kufijve bëhet vetëm me luftë. E vërtetë është se bëhet me luftë, por vetëm kur bëhet pa vullnetin e të dyja palëve. Në këtë rast po flasim për një proces paqësor me garantues të superfuqive. Si do të ketë luftë nëse bëhet me marrëveshje dhe me garantues?
Në fund të fundit ne kemi thënë vazhdimisht se jemi sui generis. Të bëhemi edhe me këtë hap shembull pozitiv në rajon se si mund të zgjidhen problemet me dialog e jo me luftë, me zgjidhje që evitojnë burimet për një luftë të mëvonshme, ndoshta.
Natyrisht krejt ky korrigjim apo shkëmbim territoresh do të kishte kuptim nëse respektohen raportet simetrike të korrigjimit dhe ku një pjesë a Pakos së Ahtisarit to binte poshtë meqë edhe përqindja e strukturave etnike në Kosovë do të ndërrohej. Kuptohet gjithnjë duke garantuar për të gjitha minoritet të drejta me standardet më të larta, pa lënë hapësirë për krijimin e një shteti jofunksional e me aq telashe, të ngjashëm me Bosnjë e Herecegovinën.