Viele Euro Geldscheine

Diaspora shqiptare do të bëhet me bankë të veten. Mjetet janë siguruar, ndërsa edhe emri është rezervuar. Tani vetëm po pritet që të aplikohet për licencë pranë Bankës Qendrore të Kosovës. Themelimi i saj pritet të përfundojë deri në janar të 2019-ës. Nga njohësit e ekonomisë dhe sistemit bankar, themelimi i një banke të tillë po vlerësohet si diçka interesante e që do t’i sillte të ardhura vendit. Por, vërejnë, politika duhet t’i mbajë duart larg nga kjo bankë, shkruan Gazeta Express
Mërgimtarëve nga Kosova tani e tutje nuk do t’u bjerë të përballen me pritje nëpër bankat e tjera. Tani ata do ta kenë një bankë të tyren. Mjetet janë siguruar e edhe emri është rezervuar.

E gjithë kjo po bëhet për të lehtësuar transaksionet, kanalizim të remitancave dhe projekteve investive. Tani vetëm po përgatiten dokumentet për të aplikuar për licencë.

Nga njohësit e ekonomisë dhe sistemit bankar, themelimi i një banke të tillë po vlerësohet si diçka interesante e që do t’i sillte të ardhura vendit. Por, thonë se politika duhet t’i mbajë duart larg nga kjo bankë.

Në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike thonë se ideja për themelimin e kësaj banke, ka ardhur nga vetë ministri Dardan Gashi.

Zëdhënësi për media në Ministrinë e Diasporës, Lorik Pustina, ka thënë për Gazetën Express se ideja e ministrit Gashi për themelimin e bankës së diasporës është përkrahur edhe nga bizneset më të fuqishme të diasporës me të cilët kjo Ministri është në kontakt të vazhdueshëm.

Ai deklaron se qëllimi i kësaj banke është lehtësimi i transaksioneve, kanalizimi i remitancave dhe projekteve investive. Gjersa thonë se rezultatet konkrete për këtë bankë pritet të shihen së shpejti.

“Kjo bankë ka për qëllim lehtësimin e transaksioneve, kanalizimin e remitancave në projekte investive, ndërsa paraqet një nga projektet më serioze të komunitetit afarist të diasporës tonë deri tani. Tani për tani është duke u punuar në këtë drejtim, ndërsa rezultate konkrete pritet të shihen së shpejti”, ka thënë Pustina për Gazetën Express.

E lokacioni ku do të ndërtohet banka e diasporës do të jetë Prishtina, ndërsa degët e kësaj banke do të jenë edhe në qendrat kryesore të Evropës.

BQK: Nuk kemi asnjë aplikacion për licencë

Edhe pse në këtë Ministri thonë se është duke u punuar në këtë drejtim e do të ketë rezultate konkrete së shpejti, ata ende nuk kanë aplikuar për licencë.

Së paku kështu ka deklaruar zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, për Gazetën Express.

Ahmeti ka thënë se në BQK nuk ka ardhur ndonjë aplikacion për licencë.

“Deri më tani në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës nuk është dorëzuar aplikacioni për licencim nga banka e diasporës”, ka thënë ai.

Ndërkohë, se kanë filluar përgatitjet për themelimin e kësaj banke e kishin thënë kohë më parë edhe në Rrjetin Shqiptar të Bizneseve në Diasporë.

Presidenti i Rrjetit Global të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti, ishte takuar me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, dhe e kishte rezervuar emrin.

Ata kishin deklaruar se më së largu kjo bankë do të themelohet deri në janar të 2019-ës dhe se qëllimi i saj do të jetë zhvillimi i vendit, mobilizimi i diasporës dhe lehtësimi i transfereve për diasporën.

Ndërkohë, njohësit e ekonomisë e ekspertët bankarë themelimin e bankës së diasporës, po e vlerësojnë si diçka interesante e që do t’i sillte të ardhura Kosovës. Por, thonë se duhet të eliminohet ndikimi politik në këtë bankë.

Keqa: Politika duhet t’i mbajë duart larg nga kjo bankë

Eksperti bankar, Flamur Keqa, ka thënë për Express se ideja për hapjen e një banke e cila dallon nga bankat që aktualisht zhvillojnë aktivitetet në Kosovë ekziston që moti.

“Personalisht edhe vetë kam propozuar në të kaluarën jo të afërt krijimin e ndonjë banke investive apo bujqësore, e cila si fokus do të kishte përkrahjen e sektorëve të caktuar zhvillimorë të Kosovës. Kapacitetet dhe mundësitë kanë ekzistuar”, ka thënë Keqa.

Ai deklaron se banka e diasporës mund të jetë një projekt interesant, i cili po ashtu është dashur të zhvillohej shumë kohë më parë.

Ai shton se efektet e disa miliarda eurove të dërguara për afro 20 vjet nëpërmes remitencave kanë mundur të kanalizohen dhe menaxhohen në mënyrë efiçiente me qëllim të krijimit të një vlere të shtuar ekonomike, përmirësimit të bazës ekonomike të qytetarëve të Kosovës dhe multiplikimit të të mirave materiale dhe financiare.

Por, Ai thotë së nëse kjo bankë themelohet do të duhej të eliminohej ndikimi absolut i politikës.

“Megjithatë nëse vërtet themelohet banka e diasporës këshilla ime do të ishte eliminimi absolut i ndikimit të politikës. Politika si çdokund tjetër do të tentojë ta shtrijë ndikimin e saj destabilizues, qoftë përmes kapitalit apo edhe menaxhmentit, i cili mund të infiltrohet nga subjektet politike. Infiltrimi i politikës në kapitalin e bankës apo strukturat e bankës do të rrezikonte tepër shumë zhvillimin afatgjatë të bankës dhe arritjen e qëllimeve primare të projektit”, ka thënë Keqa.

Keqa shton se themelimi i bankës duhet të krijohet me kapital puro nga diaspora dhe strukturat menaxhuese bankiere të emërohen nga vetë aksionarët-themeluesit me persona me integritet dhe përvojë të dëshmuar profesionale dhe morale.

“Nëse prapa projektit qëndrojnë persona të mirëfilltë të biznesit dhe me integritet moral atëherë ka gjasa që ky projekt të stimulojë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të iniciojë projekte shumë interesante zhvillimore me ndikim edhe në sektorin e prodhimit, në sektorin e eksportit dhe në zbutjen e papunësisë”, ka përfunduar eksperti bankar, Flamur Keqa.

Rexhepi: Banka e diasporës, burim i mirë i financimit

Edhe ish-guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi, thotë se themelimi i një banke të tillë do të ishte një burim i mirë financimi për Kosovën.

Rexhepi ka thënë për Gazetën Express se nëse kjo bankë i plotëson standardet dhe kriteret që kërkohen me ligj për licencim, atëherë nuk do të kishte vështirësi që të bëhet një gjë e tillë.

Ai deklaron se themelimi i kësaj banke do të ishte interesant për tërheqjen e kapitalit nga jashtë.

“Si ide do të ishte interesante për tërheqjen e kapitalit nga jashtë dhe mbështetjen e bizneseve që do të vinin nga diaspora në Kosovë. Kështu që do të ishte një burim i mirë i financimit”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi ka shtuar më tej se në vend do të ishte mirë të vinin banka të specializuara që do të mbështesnin projekte të caktuara apo do të orientoheshin në një degë apo veprimtari të caktuar.