Në përpjekje për të arritur një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai Serbisë, Aleksandër Vuçiç pritet të takohen gjatë muajit shtator në Bruksel. Në Kosovë ka mungesë konsensusi politik, por Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika thotë se nga shtatori do t’i nisë përpjekjet për afrimin e partive politike.

Në Kosovë ka mungesë konsensusi politik sa i përket vazhdimit të dialogut me Serbinë, por edhe për shumë çështje të rëndësishme për vendin. Në përpjekje të gjetjes së konsensusit, LDK-ja kohë më parë pati iniciuar tryezat me partitë politike, por nga to nuk doli asnjë rezultat.

Rezultate konkrete nuk kanë sjellë as tryezat e organizuara nga Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika. Megjithatë, Rashiti tha për Radio Kosovën se nuk do t’i ndalë përpjekjet me partitë politike. Ai tha se nga shtatori do të provojë bashkërisht me partitë, që të ketë dialog e konsulta në forma të ndryshme.

“Komponenta e ekspertizës dhe e shoqërisë civile do të jetë e angazhuar në konsultat me subjektet nga shtatori. Detajet ende nuk i dimë, por presim të kthehen të gjithë të kthehen nga pushimet t’i vazhdojmë konsultimet”, tha Rashiti për Radio Kosovën.

Rashiti thotë se muaji shtator do të jetë i bezdisshëm ngase në Nju Jork dhe gjithandej do të ketë konsultime në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Por, po ashtu pret që shtatori të jetë më i frytshëm sa i përket konsensusit politik në vend.

“Besoj që do të ketë edhe shumë paqartësi sa i përket dialogut, sepse janë edhe faktorë të tjerë të involvuar në konsultat për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por besoj se pa vonesë, shtatori do të jetë më i frytshëm në raport me konsensusin e brendshëm”, tha Rashiti.

Kjo përpjekje e Rashitit vjen në kohën kur do të mbahet takimi i radhës i dy presidentëve në Bruksel, për të cilin opozita është kundër.

Ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi në një intervistë për Radio Kosovën ka thënë se gjatë këtyre viteve është krijuar një kulturë politike më tepër refuzuese sesa pajtuese për gjërat e domosdoshme. “Nuk po arrijmë që për çështjet për të cilat duhet të kemi konsensus ta krijojmë atë konsensus. Konsensusi në këtë rast është mëse i domosdoshëm”, ka thënë Krasniqi. Për Radio Kosovën.

Konsensusi politik në vend ka kohë që mungon për shumë çështje, por sipas shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, mosmarrëveshjet mes spektrit politik janë thelluar kohëve të fundit, sidomos nga e presidentit Hashim Thaçi, të cilat Hoti i quan kontraverse dhe çorientuese. Hoti ka thënë se marrëveshjet politike duhet ta arrihen përbrenda institucioneve, por vetëm kur ato vishen me legjitimitet demokratik dhe ta kenë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës të shprehur me votën e lirë.

Ndërsa kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ditë më parë në një postim në Facebook, ka thënë se Thaçi e Haradinaj nuk janë të interesuar për dialog të brendshëm, ndërsa ka shtuar se me këtë keqtrajtim që po u bëhet interesave jetikë të Kosovës, po iu imponohet qytetarëve të ngriten në demonstrata në vjeshtë, siç ka thënë ai, që të mos humbet në dimër edhe ky gjysmë shteti që ka mbetur.