Një grua ka humbur jetën në Gjakovë si pasojë e plagëve të marra nga bashkëshorti i saj.

Gruaja rreth të 50-tave kishte arritur në spital pa shenja jete pasi bashkëshorti i saj ka shtënë me armë në të.

Kjo është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës.

Komandanti i Policisë në Gjakovë, Krist Gjokaj ka thënë për Indeksonline se rasti ka ndodhur në orët e vona të natës pikërisht në lagjen “Kolonia”.

“Në orët e vona pas mesnate kemi pranuar një informatë për një plagosje me armë zjarri në lagjen Kolonia. Me këtë rast është plagosur një grua e moshës rreth 50 vjeçare dhe e njëjta nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra, si pasojë ka ndërruar jetë”, ka thënë Gjokaj.

Ai ka theksuar që dyshohet se kjo ka ndodhur nga burri i saj, në mënyrë aksidentale.

“Dyshohet se kjo ka ndodhur nga burri i saj në mënyrë aksidentale, ende nuk është arrestuar dhe jemi në fazën fillestare të hetimeve”, ka përfunduar Gjokaj.

Duhet përkujtuar se ka pak ditë që nga rasti i fundit në Gjakovë, kur burri vra bashkëshorten dhe vajzën e tij.