Ish-luftëtari i UÇK-së, Lekë Dobruna, duke shkruar për veteranët që kundërligjshëm kanë fituar statusin, i ka treguar për ndjenjën e veteranit të vërtet.

Ai duke iu referuar veteranëve të rrejshëm, ka shkruar se 180 euro dhe një kartelë kurrë nuk do t’i bëjnë veteran.

“Ti nuk e din se çka është me qenë veteran. Veteranit të vërtetë kur bjen shi i kujtohen ditët në frontin e luftës me shi, kur bjen borë i kujtohen netët në istikame, kur është vapë i kujtohen ditët e nxehta në frontet e luftës. Veterani i vërtetë kur e sheh bukën i kujtohen ditët e javët pa bukë në frontet e luftës. Veterani i vërtetë kur dëgjon natën ndonjë krismë i del gjumi menjëherë dhe e kapin ankthet e luftës, i kujtohen granatimet e gjata e netët pa gju. Veterani i vërtetë ka ankthe. Kalon netë pa gjumë. Ecë rrugëve, e mendjen e ka te lufta”, ka shkruar ai, duke shtuar se veterani i vërtetë ka ende dhimbje nga plagët e luftës.

“Por, veteranin e vërtetë gjithmonë është dikush që e ndal në rrugë, e kujton dhe e falënderon. Ti, merre at benefecion që nuk të takon, por kurrë nuk do të jesh veteran. Ti – veteran i rrejshëm-, kurrë nuk ke me mujt mem shiqu ne sy. Gjithmonë ke mu skuq para meje”, ka shkruar Dobruna, i cili gjatë kohës së luftës ka qenë në brigadën 134.

Ai po ashtu është i plagosur në luftë dhe mban tatuazhin më të veçantë, pasi ka vendosur në trupin e tij momentin kur Lorik Cana në mes të Beogradit e mbron flamurin me hartën e shqipërisë etnike, që e lëshoi Ismail Morina gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi.