Kultivuesit vendorë të duhanit dhe cigareve vazhdojnë të mos mbrohen nga importi.
Politikat fiskale që aplikohen nga Qeveria e Kosovës nuk stimulojnë prodhimin vendor të duhanit dhe njëkohësisht kjo kulturë bujqësore nuk bën pjesë as në grupin e kulturave bujqësore që përkrahet nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, shkruan sot Koha Ditore.
Shkaku i vështirësive me të cilat përballet ky sektor bujqësor, me kërkesë të Odës Ekonomike të Kosovës, Qeveria përkatësisht Ministria e Financave ka hartuar një koncept-dokument me të cilën synohet që norma e akcizës për cigaret e prodhuara në Kosovë të përllogaritet duke përdorur metodën “ad valorem” (sipas vlerës).
Në këtë koncept-dokument thuhet se përllogaritja të bëhet në çmimin shitës me pakicë të cigareve të prodhuara në Kosovë dhe norma e akcizës së aplikuar të jetë 30 për qind në vlerën shitëse me pakicë.
Për vitin e ardhshëm Qeveria synon që ta vendosë edhe duhanin në mesin e kulturave bujqësore që subvencionohet nga ana e saj. “Pagesa e subvencionimit të duhanit duhet të jetë e ndërlidhur me dorëzimin e produktit tek grumbulluesit (e ngjashme sikurse tek rasti i subvencionimit të qumështit për fermerë)”, thuhet në koncept-dokumentet.