Në tregun e Kosovës në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 480 biznese të reja, nga to, 170 biznese të huaja, thonë zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Fillimi i një biznesi të ri në Kosovë, ku ka të bëjë me regjistrimin e bizneseve, është proces i lehtë për t’u realizuar, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit, sipas të cilëve, vështirësitë në zhvillimin e veprimtarisë se tyre vazhdojnë më pas.

Edhe raporti i fundit i Bankës Botërore “Të Bërit Biznes 2018”, konfirmon progres në përmirësimin e mjedisit afarist në Kosovë, duke rritur renditjen në vendin e 40-të në botë, nga gjithsej 190 shtete, sa kanë qenë të përfshira në këtë raport.

Progres të konsiderueshëm, sipas raportit, Kosova ka shënuar në disa indikatorë si, fillimi i një biznesi, marrja e kredive, por edhe përfundimi i biznesit.

Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosova e Re, konsideron se në Kosovë është lehtë vetëm regjistrimi i biznesit, por jo edhe mbijetesa e bizneseve në faza të zhvillimit.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Ajdini shprehet se pavarësisht reformave që kanë bërë autoritetet kompetente në të bërit biznes, ende ekzistojnë barriera dhe pengesa të ndryshme që pengojnë zhvillimin e një biznesi.

“Pas regjistrimit të bizneseve, ato hasin në vështirësi të ndryshme sepse ende nuk e kemi legjislacionin e harmonizuar më udhëzimet administrative, siç është Ligji për investime strategjike, Ligji për pushime tatimore ligje këto që janë favorizuese për bizneset e reja të cilat duhet jo të mbijetojnë, por të zhvillohen”, shprehet Ajdini.

Sa i përket pushimeve tatimore, Qeveria e Kosovës gati tri vite më parë kishte marrë vendim që të ketë pushime nga taksat për të gjitha investimet e reja, tre deri në shtatë vite, por që një vendim i tillë ende nuk ka hyrë në fuqi.

Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Tregtare të Afarizmit në Kosovë, Ismet Mulaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ka përparime të jashtëzakonshme sa i përket regjistrimit të bizneseve, por ai përmend barriera tjera pas regjistrimit të biznesit.

“Prej faktit të sigurimit të tokës, qasjes në energji elektrike, qasjes në infrastrukturë, këto janë një numër barrierash të mëdha që u shkaktohen bizneseve, konkretisht biznesit prodhues, duke përfshirë këtu edhe pengesat tjera burokratike”.

“Kosova ka një administratë shumë të madhe publike dhe biznesi detyrohet të orientohet në shumë adresa dhe këto shumë adresa e humbin efektin tek biznesi. Por, edhe gjykatat janë një problem shumë i madh, sepse kontestet e bizneseve nuk trajtohen më vite të tëra. Ka deri në 10 që nuk përfundojnë”, thekson Mulaj.

Edhe Lumnije Ajdini përmend kontestet gjyqësore si probleme që ndikojnë te bizneset, por edhe investitorët e huaj.

“Ende kemi sistemin bankar të shtrenjtë, kontestet gjyqësore, duke ditur se në sistemin gjyqësor në Kosovë ka lëndë shumë të ngarkuara. Kurse, sa i përket bizneseve janë mbi një mijë lëndë që kanë konteste të ndryshme gjyqësore në mes palëve”.

“Si pengesa tjera gjatë bërjes se biznesit është konkurrenca jolegale dhe informaliteti që është një rangim, mandej probleme më energjinë e elektrike që po ballafaqohen bizneset tona, por edhe investitorët e huaj”, thotë Ajdini.

Ndryshe, në bazë të një raporti të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, mesatarja e ditëve për regjistrimin e të gjitha shoqërive tregtare për vitin 2017 ka qenë 1.96 ditë.