Armata e Serbisë çdo ditë mbetet pa dy oficerë, dy nënoficerë dhe nga disa ushtarë dhe persona civilë, për shkak të kushteve fyese të punës, shkruan e përditshmja e Beogradit “Danas”.

Sipas kësaj gazete, gjendja në Armatën e Serbisë kurrë nuk ka qenë më e keqe. Një numër gjithnjë e më i madh ushtarakësh po e braktisin Armatën e Serbisë, të pakënaqur me situatën financiare, nepotizmin, joprofesionalizmin dhe kushtet skajshmërisht poshtëruese të punës, shkruan “Danas”, transmeton Koha.net.

Mesatarisht Armatën e braktisin dy oficerë, dy nënoficerë, dy ushtarë e një personel civil.

Kjo situatë duket ka aktualizuar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të paralajmëruar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Dilema është të jetë ky shërbim tremujor, apo gjashtëmujor.

Kryetari i Sindikatës Ushtarake të Serbisë, Novica Antiq, siç shkruan “Danas”, saktëson se Armatën e Serbisë brenda vitit e braktisin rreth 1.600 të punësuar, duke e cilësuar situatën alarmante.