Sot, në sallën e Kuvendit Komunal të Podujevës është mbajtur takim publik për Rregulloren për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me vendbanimet, fshatrat dhe lagjet në territorin e Komunës së Podujevës, njofton Llapi.info

Në këtë debat i kryesuar nga drejtori i Drejtorisë së Admnistratës, Gëzim Namani, ishin prezentë disa prej përfaqësuesve të fshatrave të Podujevës.

Përveç që bënë sugjerime e vërejtje në këtë rregullore, Komuna e Podujevës u kritikua edhe për mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve të fshatrave.

Kështu, Muharrem Rrustemi nga fshati Repë tha se përfaqësuesi i zgjedhur i këtij fshatit jeton në Fushë Kosovë.

“Fshati Repë ka probleme të shumta, duke ja nis prej rruge. E në këtë fshat kërkush nuk e din kush është përfaqësues, se ai është me vendbanim në Fushë Kosovë”, ka thënë ndër tjera ai.

Kurse, Avni Ejupi nga fshati Sekiraqë theksoi se nuk mundet që përfaqësuesi i fshatit Gllamnik të përfaqësoj edhe fshatin Sekiraqë.

“Fshati Sekiraqë ende nuk njihet si fshat i Komunës së Podujevës edhe pse i ka mbi 1700 banorë. E pamundur është që përfaqësuesi i fshatit Gllamnik të përfaqësojë edhe fshatin tonë”, tha Ejupi.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i fshatit Metehi potencoi se e përkrahë këtë rregullore duke shtuar se është më se e nevojshme. Kurse Naim Hoxha nga fshati Pakashticë tha se këtë rregullore është dashur të shpërndahet kohë më parë, në mënyrë që të bisedohet me banorët e fshatit.

Kritika të shumta pati Abaz Softolli nga fshati Lladoc. Sipas tij, Komuna e Podujevës deri më tani nuk i ka ndihmuar aspak familjes Softolli të cilës iu djeg shtëpia kohë më parë.

Kurse, këshilltari komunal nga radhët e VV-së, Bajram Ajeti, tha se zgjedhja e përfaqësuesit të fshatit duhet të jetë larg politikës.

“Kjo rregullore është e nevojshme, por kur të themelohet këshilli duhet të jetë lirohet nga politika. Të bëhen zgjedhje të mira e po ashtu edhe të fshehta”, ka thënë Ajeti.

Ndryshe, për këtë propozim të Rregullores do të mbahen debate përgjatë një muaji.