Hetuesit policorë në Vushtrri, në vazhdën e hetimeve për zbardhjen e veprave penale, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë tre persona të dyshuar për përfshirje në gjashtë raste të ndryshme të veprave panele, një rast ‘grabitje’ dhe pesë raste të ‘vjedhjeve të rënda’, raste këto të raportuara muaj më parë në zonën e Vushtrrisë.

Sipas Policisë, hetuesit policorë mbi dyshimet e ngritura dhe provat e siguruara me datën 23 gusht në Vushtrri, kanë identifikuar dhe kanë arrestuar tre persona të dyshuar: G. H., 17 vjeç, B. K. 18 vjeç, dhe G. M. 17 vjeç, shtetas të Republikës së Kosovës.

“Përveç identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarve, në cilësi të provave materiale hetuesit policorë kanë, gjetur dhe sekuestruar sasi të arit në vlerë prej 2000 eurosh, ku pas procedurave u është kthyer pronarëve legjitimë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Pas procedurave intervistuese, nga ana e prokurorit të çështjes, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa i dyshuari G.M., është liruar për në procedim të rregullt.