Presidenti i Republikës së Kosovës, gjatë një konference të përbashkët në Forumin Europian në Alpbach të Austrisë, ka thënë se Kosova mbetet e përfshirë në një proces shumë të vështirë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne tani kemi hyrë në fazën përfundimtare të këtij procesi dhe kemi nevojë për mbështetje të plotë nga BE-ja, shtetet anëtare të saj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare që të arrihet një marrëveshje potenciale ligjërisht detyruese midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Pa këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia do të bllokojnë njëra-tjetrën në avancimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE dhe rajoni do të vazhdojë të vuajë nga rreziku i jostabilitetit”.

“Dëmet nga mosarritja e marrëveshjes do të jenë të larta, por përfitimet në rast të arritjes së saj janë shumë më të larta, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, për rajonin dhe BE-në, por edhe më gjerë”.

“Prandaj, ne kemi vendosur të shqyrtojmë çdo mundësi për të gjetur zgjidhje kreative dhe për të arritur një marrëveshje të pranuar reciprokisht”.

“Ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm për nevojën që stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perëndimor të ruhen me çdo çmim”.

“Kjo është arsyeja pse ne duam të sigurojmë shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së apo shtete të tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit”.

“Nëse kështu do të ndodhë, Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat e as të fundit që do bëjnë korrigjim të kufirit për hirë të paqes dhe t’i japin fund një konfliktit prej një shekulli”, ka thënë ndër tjerash Thaçi.

Më poshtë keni fjalimin e plotë të Presidentit të Republikës së Kosovës në konferencën e përbashkët për Media në Forumin Evropian Alpbach

Përfaqësues të mediave,

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni sërish të falënderoj të gjithë organizatorët e Forumit Evropian Alpbach dhe në veçanti Presidentin e Forumit, z. Fischler.

Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Presidentin Federal të Austrisë, mikun tim të dashur Alexander Van der Bellen, si dhe homologët e mi nga rajoni, presidentin Borut Pahor dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

Komisioneri i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn është pranë nesh në ngjarje të shumta dhe mbështet shtetet tona në përpjekjet për t’iu afruar më shumë anëtarësimit në BE. Prandaj, e falënderoj shumë edhe atë.

Së fundi, një mirënjohje e veçantë shkon për audiencën e madhe të këtij forumi dhe për të gjithë kontribuesit e tjerë të disa debateve shumë të dobishme.

Dje dhe sot, ne të gjithë folëm për çështje të rëndësishme jo vetëm për BE-në, por edhe për pjesën tjetër të botës.

Sigurisht, për ne që përfaqësojmë shtetet e Ballkanit Perëndimor këtu në këtë këtë forum, perspektivat për zgjerimin e BE-së ishin dhe mbeten prioritet.

Së këndejmi, ne të gjithë shprehëm angazhimin dhe vullnetin tonë për të punuar fort për të jetësuar qëllimet tona – pra që gjashtëshen e mbetur të Ballkanit Perëndimor të sjellim më pranë anëtarësimit në BE.

Ky rrugëtim për të gjithë ne, dhe në veçanti për Kosovën, ka qenë dhe mbetet një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë.

Prandaj, unë dhe qytetarët Kosvës jemi të vendosur për të arritur këtë qëllim.

Ne do të bëjmë pjesën tonë të punës, por, gjithashtu presim që dhe BE e shtetet e saj anëtare ta bëjnë pjesën e tyre.

Gjithashtu, ne mbetemi të përfshirë në një proces shumë të vështirë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ne tani kemi hyrë në fazën përfundimtare të këtij procesi dhe kemi nevojë për mbështetje të plotë nga BE-ja, shtetet anëtare të saj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare që të arrihet një marrëveshje potenciale ligjërisht detyruese midis Kosovës dhe Serbisë.

Pa këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia do të bllokojnë njëra-tjetrën në avancimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE dhe rajoni do të vazhdojë të vuajë nga rreziku i jostabilitetit.

Dëmet nga mosarritja e marrëveshjes do të jenë të larta, por përfitimet në rast të arritjes së saj janë shumë më të larta, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, për rajonin dhe BE-në, por edhe më gjerë.

Prandaj, ne kemi vendosur të shqyrtojmë çdo mundësi për të gjetur zgjidhje kreative dhe për të arritur një marrëveshje të pranuar reciprokisht.

Ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm për nevojën që stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perëndimor të ruhen me çdo çmim.

Kjo është arsyeja pse ne duam të sigurojmë shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së apo shtete të tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit.

Nëse kështu do të ndodhë, Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat e as të fundit që do bëjnë korrigjim të kufirit për hirë të paqes dhe t’i japin fund një konfliktit prej një shekulli.