Ish-themeluesi i ORA’s, Veton Surroi, ka zbuluar se Agim Çeku kishte kërkuar organizatave të OKB’së në Kosovë që t’i integrojnë në shoqërinë kosovare 12 mijë ushtarët e UÇK’së. Ka thënë se i njëjti njeri, pra Agim Çeku, tash po thotë se ekzistojnë afër 60 mijë veteranë.
“Njëra qasje është që ky pretendim i prokurorit të vërtetohet në proces gjyqësor. Një proces i këtillë do të ballafaqonte pohimin fillestar të komandantit të fundit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, dërguar organizatave të OKB-së në qershor të vitit 1999 se duhet demobilizuar 12 mijë ushtarë të UÇK-së me pohimin përfundimtar të Agim Çekut, kryetarit të Komisionit për evidencimin e veteranëve të UÇK-së, se numri i veteranëve kishte kaluar 50-mijëshin dhe ishte nisur për në shifrën 60 mijë”, ka shkruar Surroi, në një shkrim autorial, botuar në Koha Ditore.
Surroi ka shkruar pa ua përmendur emrat Veselit dhe Haradinajt se dy udhëheqësit e Shtetit kërcënuan prokurorin e dorëhequr pasi nuk ishin pyetur për hetimet që kishin nisur ndaj mashtruesve.
Ka thënë se edhe ky fakt tregon kapjen e shtetit.
Aktakuza e prokurorit të dorëhequr është bllokuar në Prokurorinë Speciale. Ende nuk është dërguar në Gjykatë pavarësisht se posa prokurori të nënshkruan një aktakuzë e njëjta duhet të përcillet për në institucionin që ndan drejtësinë.
Në ditën kur u dha lajmi se është dorëhequr prokurori, institucioni i akuzës lëshoi një njoftim se ka vetëm hetime por jo edhe aktakuzë për mashtruesit e statusit të veteranit. Pastaj, u tha se ka draftakuzë, një përkufizim që s’është i njohur në Kodin Penal, dhe se drafti i aktakuzës është vetëm derisa Prokurori e ka të panënshkruar aktakuzën.
Sidoqoftë, dëmi që i bëhet Shtetit, sipas aktakuzës së nënshkruar nga Prokurori i dorëhequr, është afër 40 milionë euro në vit.
Pas kësaj aktakuze pritet që e njëjta të zgjerohet dhe të merren Prokuroritë Themelore. Pritet të dalin para gjyqit edhe veteranët mashtrues, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë të gjitha mjetet e vjedhura të Shtetit. Madje, nëse nuk kanë të holla, Shteti mund t’ua konfiskojë edhe pasuri për eurot e shtetit që kanë zhvatur.
Në gjithë këtë situatë, Agim Çeku, para një viti bënte thirrje secilit që ka informacion për mashtruesit t’i deponojnë në Prokurori.
“Veteranët dhe qytetarët duhet të marrin guximin dhe t’i shkruajnë Prokurorisë. Kush ka raste, ia dini emrin, asnjë qytetar s’duhet të pritojnë, duhet të dërgojnë emrat e tyre në Prokurori. Prokuroria është duke marrë të dhëna. Prokuroria ka punuar. Veteranët dhe qytetarët mund t’i ndihmojnë shumë Prokurorinë për largimin e veteranëve të rrejshëm”, kishte thënë Çeku.
Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.
Sipas kësaj aktakuze, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka identifikuar prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.