Uji ka marrë ngjyrë, përveç kësaj lumi Dumnica ka sjellë edhe aromë të pakëndshme.
Kundërmimi që bën ditë e natë ka bërë që banorëve të fshatit Sibovc i Poshtëm të Podujevës, të ju rrezikohet shëndeti.
“Jemi të rrezikum se lumi gjendet rreth shtëpisë e oborrit. Fëmijët nuk po guxojnë të dalin, se mbrëmë e kemi pas te mjeku cikën e madhe edhe i ka thënë alergji prej erës së këtij uji”, ka thënë Safete Rrahmani banore e kësaj ane.
Kurse, Fadil Gërguri përfaqësues i këtij fshati, ka thënë se jetesa në këtë vend është bërë e pamundur në vendlindje.
“Ka kohë që kemi këtë problem njëherë kemi mendu që është zgjidh ky problem, por prapë se prapë ky qe tri vite të fundit është shumë i theksuar, veçanërisht këtë vit ka një erë më të madhe kundërmuese edhe banorët kanë të drejtë që ankohen”, ka thënë Gërguri.
Banorët thonë se ndotja e ujit po shkaktohet nga hedhja e mbetjeve kimike nga ana e qendrës grumbulluese “Albini” që funksionon në Sfeçël. Por, këtu e mohojnë dicka të tillë.
“Për larjen e karotave përdorim ujin e bunarit, që punon me makina.”, thotë Shpend Vokrri nga kjo qendër grumbulluese.
Sipas drejtuesve të qendrës, asnjëherë nuk është hedhur kimikale në lumë nga ana e tyre.
“Uji që pastrohen karotat është prej bunari, lloçin e bërllokun e ndalim këtu, ndërsa uji i pastër shkon në kanalizim”, thotë tutje Gërguri.
Për ndotjen e ujit është njoftuar edhe Komuna e Podujevës. Drejtori i Inspeksionit, Durim Salihu përmes telefonit i ka thënë Klan Kosovës se kanë pranuar disa ankesa dhe se ato po i trajtojnë me seriozitet. Ai bëri të ditur se i kanë marrë mostrat e ujit dhe i kanë dërguar për analiza në IHMK./Llapi.info