Tema e ndryshimit të kufijve në Ballkan ka qenë tema më e përfolur edhe në takimin që kryeministrat e shteteve të rajonit patën në Durrës.
Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn nuk ka pranuar të përgjigjet në një pyetje për ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hahn deklaroi se marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe shtetit serb kërkon më shumë kohë, transmeton lajmi.net.

“Mendoj që nuk është e përshtatshme që të bëjmë komente lidhur me diskutimet dhe negociatat në vazhdim. Presupozoj se takimi [Thaçi-Vuçiq] i ardhshëm në Bruksel nuk do të jetë i fundit, do të jetë edhe një tjetër takim dhe sigurisht do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje”, ka thënë Hahn.

“Nuk jam i gatshëm të bëjë asnjë koment, përveç atij siç është parashtruar në strategjinë e Ballkanit Perënidmor: Në nuk pranojmë asnjë anëtar të ri me cështje të pazgjidhura”, tha tutje ai.

I pyetur për të njejtën temë kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se pajtohet me komisionerin Hahn.

“E keni edhe nënshkrimin tim për atë që tha komisionari”.

Por ndryshe kishte folur Johanes Hahn në forumin që u mbajt në Alpbach të Austrisë. Ai kishte thënë se çdo zgjidhje mund të jetë e pranueshme.

“Pa marrë parasysh se cila është zgjidhja dhe ne nuk përjashtojmë asgjë, duhet ta dimë se gjëja më e rëndësishme është stabiliteti në rajon. Kjo lloj marrëveshje nuk duhet të shtyjë ide të tjera”, kishte thënë Hahn.

Ndryshe javën e ardhshme pritet një takim ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit.