Në muajin e dytë të lirisë, në korrik 1999, Ramush Haradinaj kishte dhënë një rrëfim të gjatë për luftën në rajonin e Dukagjinit, në një bashkëbisedim me gazetarin e Zërit, Bardh Hamzaj.

Në librin ‘Rrëfimi për luftën dhe lirinë – Dialog me komandantin Ramush Haradinaj’, Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, flet që prej inkuadrimit të tij në UÇK në vitet e 90-a e deri te çlirimi i Kosovës, raporton KTV.

Në librin e para 19 vjetëve, Haradinaj zbërthen numra, kur thotë se i madh e i vogël kanë luftuar në Dukagjin.

Haradinaj përmend dy shifra në total, kur flet për ata që kanë luftuar – 4000 dhe 6000.

“Pas shtatorit 1998, në Dukagjin u krijuan tetë njësi operative të lidhura ngushtë. Në një periudhë kohore, do ta quaja pesëmuajshe, numri i ushtarëve arriti në 4,000 veta”, thotë Haradinaj.

Numri maksimal i ushtarëve që përmend se ka pasur është 6,000. Këtë e përmend kur Tahir Zemaj i kishte kërkuar që ta vendosë shtabin e tij në rajon.

Por, ka pasur një periudhë në vitin 1998, kur Komandanti kishte mbetur me vetëm 50 ushtarë.

Këtë e shpjegon te nëntitulli “Kurrë nuk kam besuar se mund të ndodhë ikja e organizuar e ushtrisë”.

“Pas një gjysmë ore gjumë, te shtëpia ku po pushonim kanë ardhur Alush Agushi dhe Lahi Brahimaj dhe kanë kërkuar që të zgjohem. Kam refuzuar të zgjohem, sepse isha shumë i lodhur. Ata kanë hyrë në dhomë dhe kanë filluar të më bërtasin: “Hej, a je duke e ditur se çka na ka gjetur. Jemi tradhtuar. Ushtria ka ikur. Jemi të rrethuar”. Duke e parë se është fjala për diçka të jashtëzakonshme, jam çuar dhe më kanë shpjeguar se komplet ushtria prej 2000-3000 vetash ka ikur bjeshkës së Strellcit një ditë më parë dhe se forcat serbe kanë hyrë deri në Isniq, deri në Kryshec dhe madje deri në Lumbardh nga ana e epërme, pra në fshatin ku isha unë”. (fq 100)

Dhe, për t’i bërë ballë rrethimit, Haradinaj kishte mbetur me vetëm 50 ushtarë.

“Kemi depërtuar në drejtim të Jabllanicës nëpër Bistricë, nëpër ujë herë-herë deri në bel e herë më lart. Rrethimi ka qenë shumë i fuqishëm. Distanca mes nesh dhe tyre në tërheqje ka qenë 50 deri 100 metra. Me ne ishte Sokol Dobruna me vëllanë, Deli Haxhosaj, babai im, që ishin të shtyrë në moshë, Shaban Lajçi, djem të rinj 13 dhe 14 vjeç, disa vajza luftëtare dhe luftëtarë të lënduar. Të gjithë këta normalisht pa veprime ushtarake, kemi mbërritur në Jabllanicë. Kur i kam rreshtuar në Jabllanicë kemi qenë gjithsej 75 veta. Prej tyre që mund të konsideroheshin ushtarë, ishin 50. Të tjerët ishin shoqërues”, kujtonte Haradinaj.

Të gjitha shifrat që tash kryeministri përmend janë larg prej shifrave të Komisionit qeveritar.

Nga 4000 e 6000 sa përmend Haradinaj në vitin 1999, numri i atyre që kanë luftuar në Dukagjin është rritur në 15.023, në vitin 2018.

Agim Çeku, sipas aktakuzës së Elez Blakajt, kishte bërë plan se si të arsyetohet ky numër.

“Nëse na bëhet pyetja se ku i ka pasur Zona e Dukagjinit 15 mijë ushtarë, ne si komision u themi se UÇK-ja nuk i ka pasur të gjithë këta ushtarë të rreshtuar në një ditë, por 45 mijë ushtarë kanë qenë pjesë e UÇK-së dhe se fluksi më i madh i hyrje-daljeve ka qenë në Zonën e Dukagjinit dhe atë të Pashtrikut në kufi me Shqipërinë”, thuhet në aktakuzë.

Të mërkurën do të ketë një protestë të re që kërkon dorëheqjen e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe vetting në sistemin e drejtësisë, pas skandalit me fryrjen e listës së veteranëve.