Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq ka deklaruar se Serbisë po i ofrohet mundësi historike që të fitojë diçka për popullin e saj dhe qytetarët e saj në Kosovë.
“Këtu bëhet fjalë a dëshirojmë që të fitojmë diçka apo do të humbasim gjithçka”, ka thënë Daçiq, për rts dhe ka shtuar se këto mundësi edhe mund të refuzohen, por se “nuk duhet të bëhemi kinse nuk dimë asgjë, sepse askush nuk ofron që e tërë Kosova të mbetet në kufijtë e Serbisë”.
Ai ka theksuar se kjo çështje pritet të diskutohet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të propozohen zgjidhje të mundshme, transmeton lajmi.net.
Daçiq ka folur edhe për pozicionet Angela Merkelit dhe Donald Trumpit sa i përket arritjes së mundshme të marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Sipas tij, Serbia ka bërë një kthesë të madhe sa i përket zgjidhjes së problemit me Kosovën.
Kjo deklaratë e Daçiqit vjen pas qëndrimit të SHBA-ve, përkatësisht këshilltarit të Donald Trumpit për çështjen e shkëmbimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo është nga dëshmitë e prekshme se si kemi arritur të ndryshojmë pothuajse pozicionin e betonuar të disa vendeve perëndimore kur bëhet fjalë për Kosovën, sepse kjo temë nuk është diskutuar dhjetë vitet e kaluara”, ka thënë Daçiq.