Pagesat për pensionet e veteranëve të luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po rriten nga muaji në muaj. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 për pensionet e veteranëve janë shpenzuar 20.2 milionë euro e derisa gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kjo shumë ka arritur në 37.8.

Për dy vjet shpenzimet për pagesat e pensioneve të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thuajse janë dyfishuar. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 për pensionet e veteranëve janë shpenzuar 20.2 milionë euro, gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2017 kjo shumë kishte arritur në 30.6 milionë euro e derisa gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kjo shumë ka arritur në 37.8. Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve për këtë qëllim është bërë barrierë serioze për buxhetin. Përfaqësues nga Qeveria nuk kanë dashur të komentojnë për numrin, derisa në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile kanë treguar opsionet se si të pastrohen listat nga veteranët e rrejshëm.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka sqaruar për gazetën “Zëri” se ka iniciativa që mund të merren nga Qeveria ose nga Kuvendi, duke ndaluar zbatimin e ligjit dhe rishikimin komplet të listave të veteranëve e duke i pastruar ato.

“Ka mundësi tjetër që të merret iniciativë, ose nga Qeveria ose nga Kuvendi, që të ndalet zbatimi i ligjit dhe të fillojë komplet rishikimi i listave të veteranëve dhe verifikimi i tyre dhe të pastrohen listat nga Qeveria ose nga vetë Kuvendi, në mënyrë që të ndalohet keqpërdorimi i buxhetit që po dëmtohet me miliona euro”, është shprehur ai. Megjithatë, si mundësi të parë për pastrimin e listave Demhasaj ka propozuar që të hetohen njerëzit që nuk e meritojnë të jenë pjesë e listave nga Prokuroria e Shtetit bashkë me personat që kanë lejuar të ndodhin këto lëshime, duke kërkuar mbajtjen e përgjegjësisë penale ndaj tyre.